Vështrime

Dialogu mund të hyjë në një proces gati të pafund

Në BE, kur Lajçak mori mandatin, paralajmëronin një dialog dinamik dhe një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të shkurtër. Kjo, krahas angazhimit të Francës dhe Gjermanisë në nivelin më të lartë për këtë çështje, bënte që vazhdimi i dialogut të dukej ndryshe nga qasja që BE-ja e kishte në dhjetë vjetët e fundit. Lajçak në gjashtë muaj, gjysma e mandatit që gjithsesi do t’i vazhdohet, ka dëshmuar pikërisht të kundërtën - se nuk ka asnjë ndryshim në qasje të BE-së, se BE-ja “nuk ka afate artificiale”, se “nuk shkruan receta të zgjidhjes”, se “BE-ja është vetëm lehtësues”, se “u takon vetë palëve të vendosin për temat” etj. Serbia ka interes ta vazhdojë dialogun për një kohë të gjatë, BE-ja nuk do të ketë asgjë kundër, ndërsa Kosova do të pësojë. Sepse dialogu është për Kosovën. Nëse njerëzit kryesorë të BE-së që “lehtësojnë dialogun” vërtet mendojnë se BE-ja do ta trajtojë Kosovën si shtet vetëm pasi ta njohë Serbia, atëherë vetëm do ta inkurajojnë Serbinë që të mos e njohë Kosovën

Kanë kaluar dhjetë vjet prej kur ka nisur dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe po e kuptojmë gradualisht se ky dialog është edhe për statusin e Kosovës. Nisi si dialog “teknik” për çështje “praktike”, zgjidhja e të cilave do të lehtësonte jetën e përditshme të qytetarëve, me zotimin e Qeverisë së Kosovës se “nuk diskutojmë me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës”. Vazhdoi me diskutime për aranzhimet e brendshme në Kosovë, përfshirë edhe për “komunitetet joshuimicë”, për rregullime të brendshme dhe territoriale, për të ardhur tash në situatë në të cilën vetë Kosova thotë se “dialogu është politik e jo teknik”.