Vështrime

Kundër deformimit të historisë së Kosovës

Amerika ka luajtur rol vendimtar në luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo është e vërtetë. Amerika ka luajtur rol kyç në përgatitjen dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Edhe kjo është e vërtetë. Simpatia e mirënjohja për SHBA-në në mesin e popullsisë shqiptare të Kosovës janë pothuaj mitike. Por kjo nuk domethënë që politikanët dhe opinioni i Kosovës të heshtin kur presidenti amerikan, për hesape të tij elektorale, flet marrëzira dhe deformon historinë e Kosovës

Për 1267 ditë në zyrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka gënjyer, mashtruar apo ka ngritur pretendime të pasakta në 20,055 raste. Pra, njëzet mijë e pesëdhjetë e pesë raste! Në një webfaqe të posaçme gazeta "Washington Post" numëron pandërprerë të pavërtetat e Trumpit çdo ditë. Me gënjeshtrat e tij Trumpi ndjek një strategji: lodhjen dhe paralizimin e publikut. Qëllimi është që njerëzit t’i shohin mashtrimin dhe rrenën si diçka normale. Pra, normalizimi i neverisë.