Vështrime

Si u reduktua pavarësia në problem të shitjes së shlivovicës së Shumadisë në Kosovë

Pse është fatale për një vend kur udhëhiqet me vite nga politikanë që për të shpëtuar veten nga drejtësia nxjerrin edhe shtetin në pazar?

Nuk duhet të zgjidhen në poste të larta shtetërore politikanë që kanë probleme me ligjin, politikanë që mund t’i marrë peng e kaluara e tyre, politikanë që frikësohen se mund të përballen me hetime, aktakuza e procese gjyqësore. Kur të tillë politikanë zgjidhen në poste të larta, ata së pari e shikojnë interesin personal, pra shpëtimin e lëkurës së tyre. Për të shpëtuar lëkurën personale, politikanët nxjerrin në pazar interesat publike: territorin, rregullimin e brendshëm, resurset shtetërore, ligjet, Kushtetutën. Pra, gati çdo gjë. Për të shpëtuar lëkurën nga problemet me ligjin, politikanët fusin duart thellë në arkën e shtetit dhe për interesa private paguajnë lobistë ndërkombëtarë dhe mercenarë e propagandistë lokalë.

Veçanërisht në dekadën e fundit Kosova është drejtuar nga politikanë që krejt investimet “politike” i kanë bërë për të mbetur “faktor politik” karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kështu ata kanë shpresuar se shpëtojnë nga drejtësia. Në fillim të dekadës (nga viti 2010) politikanët e proveniencës së nëntokës së Prishtinës flisnin me fjalor proeuropian dhe lavdëronin çdo budallallëk që e nënshkruanin në Bruksel. “Marrëveshje historike” thuhej në vitin 2013. Kur u pa se kjo s’qe as marrëveshje, as historike, u nxor në pazar territori i Kosovës, duke mobilizuar lobistë dhe duke ua shitur këtë ide edhe diplomatëve që nuk dinë asgjë për historinë e Ballkanit dhe shtetformimin e përgjakshëm të Kosovës, por janë të etur të profilizohen për karrierën e tyre.