Vështrime

Kosova dhe Izraeli: shtetndërtime të ndërkëmbyeshme

Teksa këto ditë u njoftua se Izraeli ka vendosur ta njoh Republikën e Kosovës, u kujtova që në në një kohë kur shteti i Izraelit ishte ende një ide në pritje për tu realizuar, Lidhja e Kombeve, e konsideronte Shqipërinë si një ‘atdhe rezervë’ për hebrenjtë. Në një marrëveshje të përgatitur gjatë viteve 1930-’33, nga diplomati shqiptar Mehmet Konica dhe ambasadori amerikan në Tiranë Herman Bernstein (që ishte me origjinë hebreje), sipas së cilës 500 familje hebreje nga Europa Qendrore, do të vendoseshin në Mbretërinë Shqiptare, përkatësisht në rajonin mes Drinit dhe Bunës. Ndonëse për shkak të ndërhyrjes së Italisë fashiste kjo marrëveshje nuk u nënshkrua, nga kjo kohë e deri në prag të luftës, në Shqipëri erdhën rreth 800 hebrenj. Në bisedimet që Shqipëria zhvilloi me Komisariatin e Lartë të Refugjatëve të Lidhjes së Kombeve si dhe me Kongresin Botëror të Hebrenjve, qeveria e Mbretërisë Shqiptare shprehu pëlqimin dhe gatishmërinë e saj për pranimin e hebrenjve në Shqipëri. Për këtë arsye, Lidhja e Kombeve e mbante Shqipërinë si një “atdhe rezervë“ për popullin hebre. Autoritetet e ngarkuara me këtë mision, besonin në një bashkëjetesë të harmonizuar mes shqiptarëve dhe hebrenjve, ashtu siq lexohet edhe në një raport që emisari Leo Elton u dërgon organizatave sioniste më 1935.

Dhe kjo, nuk ishte aspak një rastësi! Shekuj më herët, Shqipëria kishte qenë një ‘atdhe rezervë’ për hebrenjtë edhe kur Mbreti Ferdinand dhe Mbretëresha Elizabetë të Spanjës, i dëbuan ata pas dekretit të 31 marsit 1492, që urdhëronte largimin ose dëbimin e të gjithë hebrenjëve nga monarkia spanjolle. Të quajtur hebrenj sefardikë, nga fjala “Sefard”, emri biblik i Spanjës, hebrenjtë u mirëpritën në Perandorinë Osmane, rrjedhimisht edhe në Shqipëri, si pjesë e kësaj perandorie atë kohë. Në Vlorë dhe Berat do të instaloheshin komunitetet më të mëdha hebraike, por hebrenjë sefardikë do të banonin edhe në shumë qytete shqiptare, duke jetuar lirinë dhe tolerancën që gëzonin hebrenjtë në Perandorinë Osmane. Pa përmendur historitë e rabinëve të botës shqiptare dhe të famshmin mistik dhe filozof Shabettai Zevi, që në vitin 1673 Sulltan Mehmedi IV e mërgoi në Shqipëri ku edhe vdiq, hebrenjtë kanë lënë gjurmët e tyre autentike dhe të pashlyeshme nëpër trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.