Vështrime

Gazetaria dhe drejtësia “speciale”

Ka shumë argumente kundër krijimit të Gjykatës Speciale dhe për kritika ndaj punës së saj. Por ata që besojnë se ka qenë e pashmangshme e kanë një argument shumë të fortë: mbrojtjen e dëshmitarëve. Mediat bënë mirë që nuk i publikuan të dhënat që do të zbulonin identitetin e dëshmitarëve. Por gazetarët nuk kanë nevojë për lëvdata nga Prokurori Special. Edhe puna e Prokurorit duhet të jetë objekt i kritikave dhe i mbikëqyrjes, aq sa të jetë e mundur. Detyra për të ruajtur “sekretin” e dokumenteve është për ata që punojnë në sistemin e drejtësisë e jo për gazetarët. Prokurorët dhe gjykatësit duhet të kenë kujdes, sepse hapësira e tyre në demokraci për të përfshirë edhe mediat në të ashtuquajturin “pengim të drejtësisë” është e kufizuar. Nëse mediat besojnë, nëse vlerësojnë se përmbajtja është në interes të publikut, kanë të drejtë edhe t’i botojnë gjërat nga hetimet që u bien në dorë. Por duhet të kenë kujdes për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve. Ku do të shkonte gazetaria nëse secili gazetar do ta injoronte çdo dokument ku do të shkruhej se “është sekret”

Pa nisur ende proceset e para gjyqësore në atë që njihet si Gjykata Speciale në Hagë, edhe pse formalisht e ka emrin “Dhomat e Specializuara të Kosovës” kanë ndodhur skandale të mëdha me rrjedhjen e dokumenteve nga kjo gjykatë. Dhe shumë shpejt janë akuzuar dhe arrestuar dy liderë të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, për të cilat Prokuroria pohon se kanë penguar drejtësinë. E gjithë kjo ka krijuar në Kosovë një ankth, një kaos, një debat joracional dhe një pasiguri. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se për disa javë do të duhej të dihej edhe fati i propozim-aktakuzës ndaj presidentit aktual Hashim Thaçi, atëherë situata bëhet edhe më dramatike.