Vështrime

Një dramë e vetëshkaktuar

A ranë në grackë veteranët e luftës apo u bënë pjesë e një inskenimi për frikësim dëshmitarësh dhe diskreditim të Gjykatës Speciale? Sido që të jetë, tollovia e shkaktuar gjatë arrestimit të tyre i hedh hije të keqe Kosovës si vend që saboton drejtësinë

1.

Nëse një kohë të gjatë në Kosovë është refuzuar të kuptohet, së paku viteve të fundit secili ka pasur rastin ta kuptojë: kërcënimi i dëshmitarëve nuk do të kalojë më pa konsekuenca. Nuk do ta lejojë këtë Gjykata Speciale, nuk do ta lejojnë prokurorët ndërkombëtarë (kryesisht amerikanë), nuk do ta tolerojnë shtetet perëndimore. E tepërt të thuhet se kërcënimi i dëshmitarëve në çfarëdo forme është shkelje e rëndë e ligjeve të Kosovës. Grupet e interesuara dhe destruktive në Kosovë mund të vazhdojnë avazin e vjetër, por pasojat do të jenë serioze për vendin dhe shoqërinë. Këto grupe mund të përpiqen të sfidojnë më tutje bashkësinë ndërkombëtare, por kështu rrezikojnë ta mbajnë Kosovën edhe më tutje të izoluar. Ndonëse nuk thuhet publikisht, një ndër arsyet përse nuk liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës është edhe mungesa e sundimit të ligjit për të gjithë. Një shtet mund të ketë ligjet më të mira në botë, por nëse ato nuk zbatohen apo zbatohen në mënyrë selektive, atëherë shteti është jofunksional dhe qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit.