Vështrime

Kosova duhet ta çmojë sinqeritetin e Lajçakut

Nuk ka faj Lajçaku pse Kosova nuk ka asnjë qëndrim të qartë dhe unik rreth dialogut, rreth temave dhe marrëveshjeve e madje as rreth rolit të tij. Ai herë është i pranueshëm e herë jo për politikanët e Kosovës. Së paku duhet të çmohet sinqeriteti i tij me deklaratën se Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshohet. Për Lajçakun asnjëherë Kushtetuta e Kosovës, e as Pakoja e Ahtisaarit, nga e cila buron kjo kushtetutë, nuk ka qenë e pranueshme. Së paku, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar Lajçakun t’i mbështesë ato. Por, Kosova nuk guxon të pranojë që të krahasohen Kushtetuta e Kosovës me atë të Serbisë

Ka kaluar gjysma e mandatit të Miroslav Lajçakut në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Siç ishte paraparë edhe me mandate, ai raportoi para ministrave të jashtëm të BE-së për progresin e deritashëm në zbatimin e mandatit të tij. Dhe, sipas pritjeve që ishin kur ai u emërua, në mars duhet ta bëjë raportin gjithëpërfshirës.