Vështrime

Akti i vërtetë i barbarisë

Vrasja e një arsimtari të historisë në Paris tregon se sa shumë e kanë helmuar fenë islame fanatikët. Ky është krimi i vërtetë. Krim fanatikësh e ideologësh! Çirrjet e trushpëlarëve (edhe në Kosovë) që mendojnë se profetët dhe librat e shenjta duhet patjetër të kullojnë gjak edhe në vitin 2020 dhe të mos shikohen e trajtohen në kontekstin e kohës që janë shkruar dhe të interpretohen me sy kritik e me logjikë - pra, këto çirrje janë gjueti shtrigash. Asnjë libër i shenjtë nuk mund të jetë më i shenjtë se liria e mendimit. Këtë duhet ta kuptojë edhe ai deputeti i Vetëvendojes që bën skena në parlament me maska me mesazhe kinse fetare.  

Samuel Paty ishte mësues i historisë në Paris. Si pedagog ai deshi të diskutojë me nxënësit e tij mbi lirinë e mendimit dhe kufijtë e lirisë së mendimit. Me atë rast ai tregoi para nxënësve edhe karikaturat e revistës "Charlie Hebdo", ku përqeshet apo kritikohet profeti i myslimanëve (varësisht nga këndvështrimi). Vrasja e mësuesit Samuel Paty është akt i vërtetë i barbarisë. Ky akt godet një simbol të rëndësishëm të shoqërisë franceze: shkollën, aty ku mësohet (ose do të duhej të mësohej) mendimi kritik, toleranca, liria e shprehjes. Por në zonat periferike të dominuara nga myslimanët në qytetet e mëdha franceze (në banlieue) kjo po bëhet gjithnjë e më e pamundur. Në mediat franceze arsimtarët tregojnë se në shkollat me shumë nxënës myslimanë (të përkrahur nga prindërit) rezistenca kundër trajtimit të temave si biografia e profetit, shoa (shfarosja e hebrenjve), sulmet e 11 shtatorit apo teoria e evolucionit është shumë e madhe. Një atmosferë frike dhe autocenzure ka përfshirë Francën. Dhe pikërisht këtë e duan fanatikët fetarë, të cilët ëndërrojnë gjunjëzimin e shoqërive të lira perëndimore.