Vështrime

Rrëshqitja e një ambasadori

Si i shihte punëtorët nga Kosova ambasadori zviceran në Beograd në vitin 1972?

Më 1968, Qeveria e atëhershme zvicerane mori vendim t’i heqë vizat për qytetarët e Jugosllavisë. Që më parë nga Jugosllavia kishin filluar të vinin në Zvicër qytetarë (ose thënë më mirë fshatarë) të Kosovës dhe Maqedonisë për të punuar si bujq. Liberalizimi i vizave dhe pastaj edhe rekrutimi i punëtorëve shqiptarë nga firmat ndërtimore dhe ato të hotelerisë zvicerane ndikuan që mijëra shqiptarë të Kosovës, rajonit të Preshevës dhe Maqedonisë Perëndimore të shprehnin interesim dhe gatishmëri për të emigruar në Zvicër – kështu ata do t’i iknin varfërisë dhe mjerimit të përgjithshëm në vendlindjet e tyre të lëna pasdore nga regjimi komunist jugosllav.

Për shumicën e zviceranëve punëtorët e rinj ishin “jugosllavë”, vetëm ndonjë ekspert dinte se Jugosllavia ishte një konglomerat popujsh e pakicash. Kështu ndodhi që Sekretariati i Shoqatës së bujqve të kantonit Thurgau në vitin 1964 të shtypte një fjalorth special në serbokroatisht, i cili do t’u shërbente bujqve zviceranë për t’u kuptuar me argatët e tyre “jugosllavë”. Një fjalor i tillë nuk ekzistonte në shqip, ndonëse një shumicë e konsiderueshme e ardhacakëve që punonin në ahuret e arat zvicerane ishin shqiptarë, “muhamedanë”, siç i quanin shpesh padronët e tyre, por edhe zyrtarët zviceranë, mes tyre edhe diplomatë, të cilët bënin një dallim të qartë mes veriorëve (sllovenëve dhe kroatëve) të kulturuar dhe jugorëve (shqiptarëve, maqedonasve, boshnjakëve) të prapambetur.