Vështrime

Në botën e Donald T.

Pasionet e Donald T. janë: Twitteri, loja e golfit dhe teoritë e komplotit. Realiteti është ky: ai i humbi zgjedhjet për shkak të mobilizimit masiv të qyteteve amerikane kundër tij. Por nga bota e tij paralele Donald T. nuk e sheh botën reale. Andaj vazhdon të besojë se është fitues. Dhe bën sikur po barrikadohet në Shtëpinë e Bardhë. E dëbon nga puna ministrin e Mbrojtjes dhe e emëron sekretar shteti një oficer që presidentin Barack Obama e pati quajtur «udhëheqës të terroristëve»

Donald T. thotë: votat që kam marrë unë janë «legale», votat që ka marrë Joe Biden janë «ilegale». Kaq e thjeshtë është puna. Kështu nuk argumenton ndonjë president i një republike bananesh, por presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Donald T. godet mediat, të cilat në bazë të projeksioneve e shpallën Bidenin të zgjedhur si president. Donald T. më 2016 nuk kishte asgjë kundër kur mediat e shpallën fitues. Atëherë gajasej nga gëzimi. Sot bërtet nga hidhërimi.