Vështrime

Një plagë që duhet shëruar, jo ngacmuar

Çështjen e personave të pagjetur duhet trajtuar me kujdes maksimal, në mënyrë që të mos lëndohen të mbijetuarit dhe mbarë shoqëria. Nganjëherë shpëtimi i vetëm për t’i shmangur gabimet është njohja e mirë e gjuhës shqipe

Një ndër problemet më të mëdha të politikanëve të Kosovës (dhe jo vetëm të politikanëve) është raporti i tyre armiqësor me gjuhën shqipe. Ata nuk bëjnë gabime rastësore, ata në të shumtën e rasteve nuk janë në gjendje ta formulojnë një fjali që tingëllon kuptueshëm dhe logjikshëm. Ta shkruajnë një fjali të tillë e kanë edhe më vështirë. Aftësitë shprehëse të përfaqësuesve të popullit (me ndonjë përjashtim) janë të mjerueshme. Po të dëgjohen këto fjalime me sy mbyllur, lehtë mund të besohet se kemi të bëjmë me një kafehane të rrëmujshme, ku mes tymit të qofteve dhe gogësimave jehon llomotitja mbi intrigat e lagjes. Të gjitha këto janë parë e dëgjuar, fatkeqësisht, nga foltorja e Kuvendit, përfshirë edhe sharjet më vulgare, kërcënimet me dhunë fizike, madje edhe përdorimi i dhunës fizike, fatmirësisht pa pasoja të rënda deri më sot.

Dikur opinioni qeshte kur një deputet nga foltorja e Kuvendit thoshte: “kokrodilli” në vend të “krokodili”. Gabimet e tilla edhe mund të falen. Por çka s’mund të falet është gjuha krejtësisht e pavend e deputetëve kur flasin apo trajtojnë tema të ndjeshme, siç është çështja e personave të zhdukur. Javën që shkoi, një deputete e LDK-së u dëgjua t’i thotë deputetes Saranda Bogujevci: “Po viktimizohesh”! Për të thënë diçka të tillë, duhet të kesh raport krejtësisht të çrregullt me gjuhën shqipe, me historinë më të re të Kosovës, me faktet e pamohueshme mbi masakrën kundër familjes Bogujevci në Podujevë, duhet të kesh raport të zhdrejtë ndaj dëshmive të prezantuara (edhe nga vetë Saranda Bogujevci), pastaj – nëse kjo deputetja e LDK-së do të ishte e interesuar - janë dhjetëra shkrime të mediave ndërkombëtare për Saranda Bogujevcin si viktimë e terrorit shtetëror serb.