Vështrime

Çka bën kultura nuk e bën politika

Viteve të fundit Kosova po promovohet vetë në botë me anë të muzikës e sportit, duke krijuar një imazh të mirë për një vend të vogël që doli i shkatërruar prej luftës më 1999, kuptohet në saje të figurave të njohura tani më, si Dua Lipa, Rita Ora, Xherdan Shaqiri, Majlinda Kelmendi e të tjerë. Në anën tjetër, me gjithë “potencialin” e madh diplomatik që e kemi në botë, e sidomos në Evropë, e cila u mbush me konsullata e konsuj vend e pa vend, progresi ynë drejt Brukselit është shumë i ngadalshëm. Sipas retorikës për konsum të brendshëm, është dashur të jemi me kohë “të liberalizuar”, madje edhe anëtar i Bashkimit Evropian. Dilema jonë, me “orientim evropian” e “zotime” që nuk janë në përputhje me parimet e bazat e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ndikon në imazhin tjetër të Kosovës. Tani, duke pritur ardhjen e Joe Bidenit, mikun e madh të Kosovës, në Shtëpinë e Bardhë, dhe formatimit politik në Kosovë, kultura po bën të veten në prezantim të denjë të Kosovës në fusha të ndryshme.

Në emisionin e fundit të “Deskut” në KTV kushtuar qasjes së Kosovës ndaj Lindjes së Mesme (e enjte më 26.11.2020), veterani i gazetarisë sonë për atë rajon, Nehat Islami, përmendi se si përkthimi i një romani të shkrimtarit tonë Ibrahim Kadriu në gjuhën arabe po bën jehonë të mirë të Kosovës në atë rajon, kuptohet pa ndonjë qasje të dy ministrive tona gjegjëse (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministra e Kulturës). Është e vërtetë se romani “Përtej binarëve” zgjoi aq interesim në mediat arabe prej Omanit deri në Londër (e cila është tani selia e gazetave dhe mediave televizive me ndikim në botën arabofone), sa që për tre muaj të fundit Kosova ishte e pranishme me shkrime të ndryshme për këtë roman, i cili prezanton një përvojë të dhimbshme të Kosovës si pasojë e infiltrimit të selefizmit pas 1999-s. Fjala është, kuptohet, për rekrutimin e të rinjve kosovarë për “xhihad” në Siri e Irak, me çka Kosova u dallua në nivel evropian për nga numri i “muxhahedinëve” që morën pjesë në luftëra, qoftë me ISISI-in ose me Nusra-n.