Vështrime

Dialogu ia ktheu Serbisë të drejtën e vetos për fatin e Kosovës

Me udhëzimet e Grupit të Kontaktit, në vitin 2006, Serbisë iu mor e drejta e vetos për fatin e Kosovës. Kjo, për të parandaluar që Serbia të bllokojë zgjidhjen e statusit nëse nuk pajtohet me rezultatin e procesit të negociatave. Por përmes dialogut të Brukselit, Serbisë iu kthye e drejta e vetos. Nuk mund të shihet ndryshe deklarata e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, se “për 5 shtetet e BE-së do të jetë e pranueshme gjithçka që pranon Serbia”. Lajçak edhe me këtë deklaratë e ka thënë një të vërtetë për qëllimin e dialogut, të cilën për vite liderët politikë të Kosovës nuk e kanë kuptuar. Nëse kësaj ia shtojmë se, mes të tjerash, BE-ja pohon se zgjidhja “duhet të jetë e pranueshme për të gjitha vendet e BE-së”, atëherë forcohet edhe më shumë fuqia e vetos e Serbisë. Ajo ka pasur edhe deri tash mundësi të vetos në KS të OKB-së përmes Rusisë, e tash e ka edhe në BE

Përmes dialogut në Bruksel, Kosova ka rënë në një kurth nga i cili më nuk mund të dalë. Në një proces dhjetëvjeçar Serbia gradualisht ka ndërtuar një situatë në të cilën i tërë procesi është udhëhequr drejt kërkimit të një oferte që do të ishte e pranueshme për të. Sepse Kosova deri atëherë kishte pranuar gjithçka. Kishte pranuar Marrëveshjen e Rambouilletit, pastaj negociatat në bazë të Udhëzimeve të Grupit të Kontaktit, Propozimin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit, pastaj edhe konkludimin e “Trojkës” BE-SHBA-Rusi. Më vonë edhe aranzhimet e BE-së për praninë e saj në Kosovë. Dhe mbi këto pranime Kosova edhe e shpalli pavarësinë e saj. Edhe e hartoi Kushtetutën, ani pse të komplikuar në atë masë, saqë e bën Kosovën shtet që vështirë mund të funksionojë. Dhe e gjithë kjo, kur u kundërshtua nga Serbia para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, u konfirmua si një zgjidhje, e cila, pos që ishte e drejtë, e vetme, nuk ishte as në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.