Vështrime

Në pranga pas aterrimit

Arrestimi i opozitarit rus, Aleksej Navalni, menjëherë pas arritjes në Moskë tregon sërish anën e errët të sistemit të Vladimir Putinit: çdo kritik që bëhet i rrezikshëm për sistemin duhet të kalbet në burg

Para syve të botës, para kamerave dhe para gazetarëve policia ruse arrestoi të dielën opozitarin, Aleksej Navalni. Ai kishte qëndruar në Gjermani nga muaji gusht, kur erdhi për t’u shëruar në një spital në Berlin nga pasojat e helmimit, pas të cilit me gjasë qëndron shërbimi sekret rus. Arrestimi nuk ishte një befasi e madhe: autoritetet ruse kishin paralajmëruar se do ta prangosnin Navalnin për shkak se nuk i ka respektuar disa rregulla të shpallura nga “drejtësia ruse”. Navalni aterroi në aeroportin “Sheremetjevo”. Fillimisht ishte planifikuar që ai të aterrojë në një aeroport tjetër. Por, atje Navalnin po e prisnin qindra përkrahës, andaj në momentin e fundit pilotët morën urdhër që avioni me opozitarin kryesor rus në bord të aterrojë në “Sheremetjevo”. Sipas gazetarëve, Navalni tregoi pasaportën, por autoritetet nuk i vendosën vulë hyrëse, siç është praktika e zakonshme.

Në një fjalim të mbajtur para gazetarëve gjatë fluturimit, Navalni tha: “Nuk kam frikë. Do të shkoj me një ndjenjë absolutisht normale te kontrolli i pasaportave dhe pastaj në shtëpi”. Në aeroportin ‘Vnukovo’, ku ishte planifikuar të aterrojë Navalni, policia ruse ua ndaloi gazetarëve të raportojnë dhe arrestoi disa përkrahës të kritikut më të rrezikshëm të Kremlinit. Autoritetet ruse pretendojnë se Navalni ka shkelur ligjet pasi nuk është lajmëruar tek organet e drejtësisë lidhur me dënimin me kusht. Më 2014, Navalni ishte dënuar me kusht me tre vjet e gjysmë burgim. Ndërkohë, autoritetet kanë hapur hetime të tjera kundër Navalnit për shkak të gjoja keqpërdorimit të mjeteve financiare.