Vështrime

«Shoqëria serbe bazohet në matricën e krimit»

Disa aktore që marrin guximin të denoncojnë strukturat e pushtetshme në shoqëri dhe një profesor aktrimi i arrestuar për përdhunime: si erdhi debati #MeToo në Serbi? Sado i rëndësishëm ky debat i hapur tani në Beograd mbi terrorin e «predatorëve» (kështu po quhen përdhunuesit duke i krahasuar me kafshë grabitqare), megjithatë diçka bie në sy: ky është debat për ngacmimin seksual të aktoreve serbe dhe jo debat mbi gratë boshnjake apo kosovare të përdhunuara gjatë luftërave pushtuese serbe në vitet 90-të. Dhe nuk është debat i gjerë publik mbi varrezat masive me shqiptarë anekënd Serbisë.

Që nga fundjava Serbinë e ka përfshirë një debat mbi keqpërdorimet seksuale në një shkollë aktrimi në Beograd. Tri vite pas debatit të madh në mbarë botën mbi keqpërdorimet seksuale nga burrat me pushtet, në Serbi aktorja 25-vjeçare Milena Radulloviq ka marrë guximin dhe e ka denoncuar ish-profesorin e saj të aktrimit, Mirosllav Aleksiq. «Më ka përdhunuar kur isha 17-vjeçare», tha Radulloviq, e cila ka luajtur edhe në serinë «Besa» (ku luajnë edhe disa aktorë shqiptarë). Pas intervistës në gazetën «Blic», për krimet e Mirosllav Aleksiqit kanë raportuar edhe gra e vajza të tjera. Aleksiq është arrestuar.