Vështrime

Duke kujtuar Reçakun: kush janë mohuesit e masakrës në Beograd?

Përvjetori i masakrës në fshatin Reçak të Kosovës, më 15 janar 1999, ka shërbyer si një rast për 22 vite për të konfirmuar politikën zyrtare të mohimit të krimeve dhe forcimin e narrativit të Serbisë si viktimë e një komploti ndërkombëtar.

Më 15 janar 1999, të paktën 45 shqiptarë të Kosovës, përfshirë një grua dhe një fëmijë, u vranë në një operacion të përbashkët nga ushtria jugosllave dhe njësitë e MUP-it në fshatin Reçak. Më shumë se 25 trupa u gjetën në fshat, duke përfshirë një plak të cilit iu pre koka, ndërsa trupat e 20 personave që u qëlluan në kokë, me sa duket nga një distancë e afërt, u gjetën në një hendek afër fshatit. Kur u vranë, viktimat kishin veshur kryesisht rroba civile. Kjo u vërtetua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (TPNJ). Nga ana tjetër, megjithëse Serbia ligjërisht është zotuar të bashkëpunojë me TPNJ dhe të respektojë vendimet e saj, ky krim është mohuar vazhdimisht për 22 vjet. Narrativa mbizotëruese rreth Reçakut ka mbetur e paprekur nga ndryshimet e regjimit në Serbi nga vitet 1990 deri më sot - mohimi i këtij krimi është filli që lidh të gjitha autoritetet. Ky rrëfim ka dy karakteristika kryesore që devijojnë nga faktet e vërtetuara nga gjykata: së pari, insistohet që forcat serbe luftuan pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Reçak më 15 janar 1999 dhe se viktimat nuk ishin civilë por luftëtarë të vrarë në luftime. Së dyti, pretendohet se provat ishin manipuluar, domethënë që shqiptarët, me mbështetjen e Misionit Verifikues të OSBE-së, maskuan trupat e luftëtarëve me rroba civile dhe organizuan skenën e krimit duke sjellë trupat e njerëzve të vrarë diku tjetër në Reçak.

Një tjetër tipar i rëndësishëm i narrativit dominuese rreth Reçakut është kujtesa selektive. Çdo politikë zyrtare e përkujtimit është në të njëjtën kohë një politikë e harresës - e ngjarjeve të caktuara, por edhe e fakteve në lidhje me ngjarjet që mbahen mend. Kështu, versioni zyrtar i ngjarjeve në Reçak "harron" shumë dhe ndërton një histori që mund të duket bindëse për lexuesit e painformuar.