Vështrime

Një pusullë përkujtuese presidentit Biden

Më 2004 senatori Biden dhe këshilltari i tij për politikë të jashtme Blinken më ftuan të dëshmoja në dëgjimin publik me titull “Politika amerikane në Evropën Juglindore: punët e pakryera në Ballkan”. Çka duhet thënë presidentit Biden e sekretarit Blinken në ditën e parë të tyre të detyrës, e me titullin ende të pandryshuar nga dëgjimi i asaj kohe?

1.

Sot fillon dita e parë e punës së presidentit Joseph Biden dhe agjenda e tij që tani, fill pas inaugurimit, është e stërmbushur për ditët, javët dhe muajt e ardhshëm rresht, qoftë me sfidat imediate si COVID-i, me rirregullimin e dëmeve që u ka bërë Amerikës dhe miqve të saj presidenti i kaluar Trump, apo me projektimin e një lidershipi të ri amerikan në një botë të ndryshimeve dramatike në raportin e forcave. Aq dramatike, sa në sondazhin e bërë nga ECFR-ja, Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme, me katër mijë respondentë gjithandej BE-së (dhe Britanisë së Madhe), “shumicat në shtetet kyç mendojnë se sistemi politik i SHBA-së është i prishur, se Kina do të jetë më e fuqishme se SHBA-ja brenda një dhjetëvjetëshi dhe se evropianët nuk mund të mbështeten më te SHBA-ja për mbrojtje.(...) Një numër i madh evropianësh mendojnë se duhet të investojnë në mbrojtjen e vet dhe e shohin Berlinin e jo Washingtonin si partnerin e vet më të rëndësishëm”.