Vështrime

Re dhe rrena

Që nga hyrja në Shtëpinë e Bardhë Donald Trumpi po përpëlitet nga skandali në skandal. Dëshmia e ish-shefit të FBI-së, James Comey, mund të ngushtojë edhe më shumë rrethin e presidentit.

Presidenti dhe biznesmeni, Donald Trump, ka një problem madhor: mbi kokën e tij po errësohet një re - një re ruse, nga e cila mund të bjerë breshër, i cili mund të shkatërrojë themelet e presidencës së Trumpit. Diçka e tillë s'ka ndodhur kurrë në historinë amerikane: një president ballafaqohet me aq shumë akuza ende pa u akomoduar në post. Për shërbimet sekrete amerikane (dhe askush nuk mund të thotë se shërbimet amerikane nuk janë efikase) është e qartë se kryetari rus, Vladimir Putin, dhe ushtria e tij e internetit janë përpjekur në mënyra të ndryshme të dëmtojnë kandidaten demokrate për presidente Hillary Clinton, të sabotojnë fushatën elektorale dhe demokracinë amerikane, të dëmtojnë besimin e qytetarëve amerikanë në shtetin funksional dhe - mbi të gjitha - qëllimi i rusëve ka qenë t'i hapet rruga drejt Shtëpisë së Bardhë Donald Trumpit, i cili ka një raport të çrregullt me të vërtetën, i cili sillet si një adoleshent dhe të cilit i mungojnë njohuritë elementare të funksionimit të politikës botërore, të aleancave dhe grupeve të interesit. Me një president të tillë, ky ishte kalkulimi rus i menduar mirë, mund të manipulohet në parketin e politikës botërore. «Donald Trumpi është një 13-vjeçar në trupin e një 70-vjeçari», ka thënë David Cay Johnston, i cili ka shkruar një biografi të Trumpit.