Vështrime

Palestina si vijë ndarëse mes Prishtinës dhe Tiranës

Dy shtete shqiptare dhe dy qëndrime të kundërta në Lindjen e Afërt: Tirana nuk e pranon Jerusalemin kryeqytet të Izraelit, Kosova po. Ndarja vërehet edhe në Tiranë: kur bëhet fjalë për Palestinën Edi Rama ka qenë më lojal ndaj Rexhep Taip Erdoanit se Sali Berisha.

Dy shtete shqiptare dhe dy qëndrime të kundërta në Lindjen e Afërt: Tirana nuk e pranon Jerusalemin kryeqytet të Izraelit, Kosova po. Ndarja vërehet edhe në Tiranë: kur bëhet fjalë për Palestinën Edi Rama ka qenë më lojal ndaj Rexhep Taip Erdoanit se Sali Berisha.

Në fund të dhjetorit 2017 Asamblea e Përgjithshme e OKB-së votoi një Rezolutë që kritikonte vendimin e qeverisë së Donald Trumpit për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta theksonte se statusi i qytetit duhet të zgjidhet me negociata dhe në përputhje me Rezolutat përkatëse të OKB-së. Për Rezolutën mbi Jerusalemin votuan 128 shtete anëtare të OKB-së - prej 193 vendeve anëtare. Ndër shtetet që votoi për Rezolutën dhe kundër vendimit të SHBA-ve ishte edhe Shqipëria. 35 vende abstenuan, mes tyre Hungaria, Kroacia, Rumania, Republika Çeke dhe Letonia, të gjitha këto vende anëtare të BE-së. Edhe Bosnjë-Hercegovina abstenoi. Kur ndodhi ky votim i Shqipërisë, nga Prishtina reagoi presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, duke e kritikuar Tiranën për votën që ishte në kundërshtim me qëndrimni e SHBA-ve. Thaçi nuk e përmendi me emër kryeministrin Edi Rama, por kjo vetëkuptohej. Kundër Rezolutës së vitit 2017 patën votuar SHBA-të, Izraeli dhe disa shtete ishuj (gjithsej 9 shtete). Si rrallherë në historinë e OKB-së, SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë si Gjermania, Franca, Britania e Madhe kishin qëndrime të kundërta sa i përket të ardhmes së Jerusalemit.