Vështrime

E sfidoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës

E sfidoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës

A mund të përfaqësojë një deputet vullnetin e popullit të një pakice etnike në Kuvend, duke e fituar këtë mandat me votat e kontrabanduara të një komuniteti tjetër?

Dje, në procesin zgjedhor ka ndodhur një anomali e pazakontë dhe një precedent shumë i rrezikshëm, i cili e devijon vullnetin qytetar për t’u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Rasti konkret është me përfaqësimin e komunitetit boshnjak në Kuvend. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja deri më sot, në orën 12:00, partia fituese në komunitetin boshnjak është Ujedinjena Zajednica - Adrijana Hodzic me 6.379 vota; partia e dytë është Koalicija Vakat me 5.667 vota; partia e tretë është NDS me 2.760, partia e katërt është SDU me 2.431 vota dhe partia e pestë që rangohet është NASA Iniciativa me 1.287 vota. Në total, 18.524 vota boshnjake, gjithnjë sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja deri më sot, më datë 15.2.2021, ora 12:00.

Problemi kryesor është për faktin se në zgjedhjet parlamentare në vitin 2019 numri i përgjithshëm i votuesve boshnjakë ka qenë 12.421; në vitin 2017 ka qenë 11.450; në vitin 2014 ka qenë 11.970, ndërsa në zgjedhjet e para parlamentare që nga Pavarësia e Kosovës, më 2010, kanë qenë 11.194 votues boshnjakë. Pra, sipas këtyre statistikave nga KQZ-ja, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në krahasim me zgjedhjet e kaluara kemi një rritje enorme (të dyshimtë) të votuesve boshnjakë, nëse e zbërthejmë në shifër i bie rreth 6.103 votues të rinj. Më në detaje e keni të paraqitura në grafikat 1 dhe 2.