Vështrime

Vota, kjo ndëshkuese e madhe

Humbësit më të mëdhenj qenë të gjitha partitë që kishin pasur hise në pushtet këta 20 vjetët e fundit. Çallamitje totale përjetoi LDK-ja, e cila momentalisht ka mbetur në 13%. E për shkak se rezultati i LDK-së ishte aq katastrofal, edhe katandisja e PDK-së (17% momentalisht) mbeti paksa në hije. AAK-ja ra në 7% e NISMA kësaj radhe nuk e kaloi pragun dhe nuk ka as shanse teorike për ta kaluar, siç kishte bërë në zgjedhjet e 2019-s

Qe një fitore historike, bindëse dhe me pak mundësi që të prishet me zgjedhje të reja, edhe pse te ne sundon Ligji i Murphyt, pra absolutisht gjithçka është e mundur.

E, megjithatë, lajmi i javës – para se t'i kthehemi politikës – ishte një që erdhi nga sektori i gjyqësisë: një hajn vetëshërbimi kishte vjedhur produkte në vlerë prej 238 eurosh. E kishin zënë dhe dje e dënuan me një vit burgu efektiv dhe me gjobë në lartësi prej 500 eurosh.