Vështrime

Dembelët elektoralë të Zvicrës

Pas brohoritjeve elektorale në Kosovë, mërgata është mirë të interesohet shumë më tepër për politikën në Zvicër. Sepse vendimet që merren në Bernë dhe në kantone kanë ndikim më të madh në jetën e mërgatës se vendimet e Qeverisë në Prishtinë. Në Zürich vetëm 10,8 për qind e kosovarëve që sapo janë pajisur me pasaportë zvicerane marrin pjesë në zgjedhje. Edhe më e ulët është pjesëmarrja e shtetasve zviceranë me origjinë nga Maqedonia e Veriut: vetëm 6,3 për qind e tyre marrin pjesë në jetën demokratike të Zvicrës. Madje edhe irakianët me shtetësi zvicerane interesohen më tepër për politikën në Zvicër

Për aq kohë sa Kosova e lejon dyshtetësinë, mërgatës nuk mund t’i merret e drejta e votës në Kosovë. Po të bëhej kjo, Kosova do të etablonte një shtetësi dyklasore: një për të privilegjuarit (vendasit) dhe tjetra për jo të privilegjuarit (mërgimtarët). Një ndryshim i tillë i ligjit nuk do të kishte bazë juridike dhe do të rrëzohej mbase nga Gjykata Kushtetuese, e me siguri edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në atë moment që kosovarët kanë të drejtë që lëndët t’i paraqesin në këtë gjykatë).

Mërgata kosovare është një grup shoqëror i karakterizuar nga kujtimet e gjalla, shumica e mërgimtarëve i ruajnë në kujtesë tmerret e luftës së fundviteve ‘90 në Kosovë, pothuaj të gjithë kanë një pjesë të familjes në Kosovë. Digjitalizimi i komunikimit dhe shpeshtimi i lidhjeve ajrore mes Prishtinës dhe qyteteve të mëdha nga hapësira gjermanishtfolëse e ka bërë shkëmbimin mes atdheut dhe mërgatës pothuaj muhabet si në kafen e lagjes: aty shkon sa herë që ke kohë. Si nga Prishtina në Durrës.