Vështrime

Disiplinimi kombëtar i kurrizit

1.

Rrahja e të birit të Nenad Rashiqit nuk ishte një eksces i një grupi të rinjsh, ishte rrjedhë logjike e një politike që përcakton “pastërtinë” e serbëve

1.

Pashë incizimin e rrahjes së Nikola Rashiqit, të birit të Nenadit. Një turmë prej njëzet e më shumë vetash e rrihnin një 18-vjeçar në oborrin e Gjimnazit të Laplasellës, nuk ndërhynte kush ta ndërpriste këtë brutalitet, ndërkohë që dëgjohej britma inkurajuese që të bashkoheshin të rinjtë e tjerë në këtë rrahje, në “emër të Kosovo e Metohisë dhe të Eparkisë të Rashkës e Metohisë (të Kishës Ortodokse Serbe)”. Ati Sava i Manastirit të Deçanit, pra i kësaj eparkie, shkroi një ditë më vonë se “fëmija u rrah me shufra metalike, bokserë, iu thyen dhëmbët, iu masakrua fytyra, e tëra në dritë të diellit para masës së njerëzve prej së cilës nuk i ndihmoi kush, një mizori dhe turp... Këta njerëz nuk ishin serbë, por jonjerëz”. Dhe, me një ftesë për brendavështrim Sava Janjiq pyet: “Kur do të ndalen keqbërësit së thirruri në serbizëm e fe me të cilat nuk kanë gjë të përbashkët?”.