Vështrime

Vaksina dhe kolapsi i Evropës

Para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, qeveria në detyrë e Kosovës vendosi të lirojë edhe më shumë masat gjatë pandemisë. U tha se edhe studentët do të kthehen nëpër universitete. Policia, inspektorët, politikanët qe disa javë shikojnë me indiferencë përballë festave, ndejave, dalldive nëpër kafene të Prishtinës. Meqë lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, festat dhe dallditë (me muzikë “live”) fillojnë aty rreth orës 18:00, bashkë me lajmet e hershme të mbrëmjes. Nga 700 të infektuar në ditë, e deri në 13 të vdekur brenda 24 orëve – kujt i bën përshtypje kjo? Me gjasë askujt. Pothuaj asnjë fjalë empatie nga politikanët – as nga ata që ushtrojnë detyra qeveritare, as nga ata që po ushtrohen të marrin pushtetin, pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ndoshta s’kanë çfarë të thonë politikanët e Kosovës për shkak se me sjelljet e tyre nuk kanë qenë shembull i menaxhimit të pandemisë. Përkundrazi.

Politikanët e Kosovës duhet të kritikohen ashpër për menaxhimin e dobët të pandemisë. Përgjegjësi të lartë s’ka treguar as opozita e deridjeshme, e cila që nga 14 shkurti po përkundet e vetëkënaqur në rezultatin elektoral. Por, mossigurimi i vaksinës ka arsye më të thella – ato gjenden te dështimi i burokratëve të BE-së dhe OKB-së

Para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, qeveria në detyrë e Kosovës vendosi të lirojë edhe më shumë masat gjatë pandemisë. U tha se edhe studentët do të kthehen nëpër universitete. Policia, inspektorët, politikanët qe disa javë shikojnë me indiferencë përballë festave, ndejave, dalldive nëpër kafene të Prishtinës. Meqë lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, festat dhe dallditë (me muzikë “live”) fillojnë aty rreth orës 18:00, bashkë me lajmet e hershme të mbrëmjes. Nga 700 të infektuar në ditë, e deri në 13 të vdekur brenda 24 orëve – kujt i bën përshtypje kjo? Me gjasë askujt. Pothuaj asnjë fjalë empatie nga politikanët – as nga ata që ushtrojnë detyra qeveritare, as nga ata që po ushtrohen të marrin pushtetin, pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ndoshta s’kanë çfarë të thonë politikanët e Kosovës për shkak se me sjelljet e tyre nuk kanë qenë shembull i menaxhimit të pandemisë. Përkundrazi.

Në Kosovë ka një debat mbi atë se përse qeveria nuk arriti të sigurojë ende vaksina kundër virusit. Pyetje me vend, sidomos për shkak se para zgjedhjeve u tha se vaksinat do të vijnë gjatë shkurtit. Muaji i shkurtër iku, kaloi edhe mesi i marsit – dhe vaksinat s’po shihen askund. Burrështetasi gjerman, Otto von Bismarck, citohet të ketë thënë: “Asnjëherë s’gënjehet më shumë se para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjuetisë”. “Mjekët e Kosovës do të vaksinohen në Kukës”, tha Edi Rama. Presidenti serb më herët është tallur me shtetin e Kosovës, duke futur ilegalisht doza vaksinimi në veri të vendit.