Vështrime

Një rrugëdalje nga bataku i Ballkanit: Rivendosja e levës së SHBA-së e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Mungesa e molisur e një leve të Perëndimit ka nxitur diplomatët e SHBA-së dhe BE-së që ta mbështesin një plan të ndarjes – një “shkëmbim territori” në Kosovë – që ka minuar vetë parimin e bashkëjetesës demokratike në të cilin bazohet stabiliteti i të gjithë rajonit. Washingtoni dhe Brukseli kanë ecur tutje nga shkëmbimi i territoreve, por shkëmbimi i territoreve nuk ka ecur tutje prej tyre

Përse është Ballkani ende një batak, edhe 20 vjet pas luftimeve të fundit serioze? Përse është rajoni që e gëzon një privilegj unik – shtegun drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s – ende nën kthetrat e liderëve etno-nacionalistë që haptas bëjnë thirrje për një version të azhurnuar të “Serbisë së Madhe” dhe “Shqipërisë së Madhe”? Përse është Rusia kaq lehtësisht në gjendje t’i përjetësojë ndasitë e rajonit dhe si është Kina në gjendje ta gjejë një tokë të tillë të pëlleshme për projektet e saj gërryese.

Me një fjalë, problemi është te leva. Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian u mungon leva për ta mbyllur çështjen e Kosovës, e cila ka nxitur shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë. Paaftësia për ta mbyllur këtë çështje e ka lënë jo vetëm Kosovën që të lëngojë në harresë, por gjithashtu edhe Serbinë. Çështja e pazgjidhur e Kosovës i ndërlikon përplasjet tripalëshe në Bosnjë-Hercegovinë dhe aftësinë e Malit të Zi për ta gjetur një formulë të qëndrueshme për serbët dhe malazezët që jetojnë bashkërisht në një shtet të pavarur. Çështja e Kosovës depërton madje deri në marrëdhëniet e Serbisë dhe Kroacisë, një vend ky që e ka gjetur recetën për anëtarësim në NATO dhe BE.