Vështrime

Ëndërrojmë ditën kur NATO do të largohet nga Kosova

Në Kosovë, por edhe më gjerë, vazhdojnë të merren me disa deklarata të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth “paralajmërimeve” se “një shtet i madh” do të kërkojë largimin e UNMIK-u dhe KFOR-it nga Kosova. Dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, informatën e paska ndarë me shërbimet e zbulimit. Kjo ishte vetëm një deklaratë në stilin e tij, për të përgatitur terrenin me disa paralajmërime, kinse “të rrezikshme” dhe që ai më vonë “me sukses” do t’i parandalojë. Duhet vërejtur se së pari ai përmendi UNMIK-un. Pakkush e di se ky mision ende ekziston në Kosovë, por edhe më pak njerëz e dinë se çfarë bën ai. Pra, mbeti apo shkoi UNMIK-u nga Kosova kjo nuk do të vërehet.

Do të ishte mirë që NATO-ja sa më parë të largohej nga Kosova. Ky do të ishte lajmi më i mirë për Kosovën që nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Sepse ky lajm do të nënkuptonte se Kosova ka përmbyllur shtetformimin e saj, se pajtimi me Serbinë ka arritur nivelin e sigurisë dhe pamundësisë së konfliktit ushtarak. Se të gjithë në Kosovë ndihen të lirë dhe të sigurt, të mbrojtur dhe jetojnë pa frikë, saqë nuk ka nevojë për prani të huaj ushtarake për t’i mbrojtur. Do të nënkuptonte se Kosova i ka kufijtë e garantuar nga fqinjët, që janë anëtarë apo partnerë në NATO, dhe asnjë shtet fqinj nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Por kjo ditë nuk duket të jetë afër. Prandaj edhe janë tepër të parakohshme paralajmërimet për mundësinë e largimit të NATO-s nga Kosova

Në Kosovë, por edhe më gjerë, vazhdojnë të merren me disa deklarata të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth “paralajmërimeve” se “një shtet i madh” do të kërkojë largimin e UNMIK-u dhe KFOR-it nga Kosova. Dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, informatën e paska ndarë me shërbimet e zbulimit. Kjo ishte vetëm një deklaratë në stilin e tij, për të përgatitur terrenin me disa paralajmërime, kinse “të rrezikshme” dhe që ai më vonë “me sukses” do t’i parandalojë. Duhet vërejtur se së pari ai përmendi UNMIK-un. Pakkush e di se ky mision ende ekziston në Kosovë, por edhe më pak njerëz e dinë se çfarë bën ai. Pra, mbeti apo shkoi UNMIK-u nga Kosova kjo nuk do të vërehet.

E sa i përket misionit të KFOR-it, që e udhëheq NATO, por në të ka shumë kontribut të vendeve që nuk janë anëtare, nuk është i qartë qëndrimi i Vuçiqit dhe i Serbisë. Gjithsesi Kosova është shtet i pavarur, edhe pse NATO nuk e njeh si të tillë. NATO, me vendim të njëzëshëm të Këshillit të Atlantikut të Veriut, duke u bazuar edhe në Rezolutën e OKB-së, u vendos në Kosovë në vitin 1999. Edhe sot në NATO pohojnë se misioni në Kosovë është në bazë të kësaj rezolute, ndonëse Kosova ka shpallur pavarësinë. Por misioni i NATO-s në Kosovë është një prani ushtarake në pajtim edhe me shtetin ku ai mision ndodhet. Për të ndryshuar mandatin duhet një vendim unanim i 30 shteteve anëtare të NATO-s. Edhe nëse teorikisht ndonjë shtet, i madh apo i vogël, propozon që të largohet NATO nga Kosova, vendimi duhet të merret me unanimitet. E njëjta vlen edhe nëse dikush këtë e kërkon në OKB, ku do të votohej në Këshillin e Sigurimit e ku fuqitë atomike (SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca) kanë të drejtë vetoje. Pra, nëse cilido shtet do të ishte kundër, kjo nuk do të ndodhte.