Vështrime

Matja e përparimit moral

“Madhështia e një vendi dhe përparimi i tij moral”, ka thënë Mahatma Gandhi, “mund të gjykohen nga mënyra e trajtimit të kafshëve të tij...” Kriteri i Gandhit për gjykimin e madhështisë së një vendi dhe përparimit moral të tij nuk është i kufizuar me keqtrajtimin sadistik apo brutal të kafshëve. I referohet vetëm mënyrës se si trajtohen kafshët e një vendi. Sipas këtij standardi, për aq kohë sa i mbajmë shumicën e kafshëve, jetët e të cilave i kontrollojmë që nga lindja e deri në vdekje, në kushte të tmerrshme, nuk mund të pretendojmë që kemi arritur shumë përparim moral që prej kohës së perandorit të hershëm romak, Marcus Apuleius

“Madhështia e një vendi dhe përparimi i tij moral”, ka thënë Mahatma Gandhi, “mund të gjykohen nga mënyra e trajtimit të kafshëve të tij.” Nëse e zbatojmë këtë test në botën si tërësi, sa përparim moral kemi bërë gjatë dy mijëvjeçarëve të fundit? Kjo pyetje është sugjeruar nga “The Golden Ass”, romani pa diskutim më i hershëm i mbijetuar në botë, shkruar rreth vitit 170, kur perandori Marcus Apuleius ka sunduar mbi Perandorinë Romake.

Apuleiusi, autori, ishte filozof e shkrimtar afrikan, i lindur në atë që tani është qyteti algjerian, M’Daourouch. Mësoi latinishten dhe greqishten, ndërsa ka kompletuar arsimimin e tij në Athinë dhe ka vizituar Romën para se të kthehej në rajonin e lindjes. “The Golden Ass” është narracioni i parë i rrëfyer nga Luciusi, interesimi i të cilit për magjinë e çoi atë drejt Thesalisë, një provincë kjo e Greqisë, e njohur për aftësinë e magjistarëve të saj. Por, interesimi i tij për t’i mësuar artet e errëta përfundon keqas, kur ai shndërrohet në gomar. Nën këtë maskim, Luciusi e përshkruan, nga këndvështrimi i një kafshe, jetën e një kafshe të këndshme në kohërat romake. Format e ndryshme të keqtrajtimit që iu bënë gomarit u përkasin tri kategorive. Ka sadizëm: një djalosh rob për të cilin ai i bart drunjtë e mbledhur buzë malit pëlqen që ta torturojë, duke e rrahur me shkop, duke i vendosur gurrë për t’ia rënduar ngarkesën, duke i vendosur gjemba në bisht dhe krejt në fund, kur ka në shpinë ngarkesën me dru, duke i hedhur qymyr dhe duke i shkaktuar një ferr prej të cilit gomari mezi sa shpëton gjallë. Ka edhe brutalitet: ai bie në duart e një bande plaçkitësish që e rrahin pamëshirshëm, jo ngase kënaqen duke e bërë të vuajë, por për ta nxitur që ta bartë argjendin që ata kanë vjedhur nëpër shtigje të pafundme dhe malet e rrëpirëta deri në strehimet e tyre. Në fund, ka shfrytëzim të pamëshirshëm, ama ekonomikisht racional për pronarin e ri të gomarit, një mullis. Në mulli, 24 orë në ditë, gomarët dhe kuajt e rrotullojnë rrotën që e bluan grurin në miell. Ata lirohen nga puna e lodhshme vetëm aq sa për të ngrënë dhe fjetur, në mënyrë që të mund të jetonin për të punuar ditën e radhës. Në krye të mbikëqyrjes së punës së tyre – dhe rrahjes po qe se lodhen – janë njerëzit po ashtu robër, të leckosur, me tatuazhe në ballë dhe këmbë të prangosura.