Vështrime

Problemi i menaxhimit përmes bordeve dhe këshillave drejtuese

Zëvendësimi i rreth 400 anëtarëve të bordeve dhe këshillave drejtuese nuk do të zgjidhë problemin e qeverisjes së ndërmarrjeve, bordeve dhe universiteteve. Ajo çfarë nevojitet është një rishqyrtim i modelit të funksionit të ndërmarrjeve dhe arsyeshmërisë së ekzistencës së shumë agjencive të pavarura dhe institucioneve arsimore

Kur zgjedhjet sjellin një parti të re në pushtet, ajo çfarë pason është edhe një pranim-dorëzim i pozitave të anëtarësisë në borde. Me partinë humbëse largohen edhe me qindra anëtarë bordesh apo këshillave drejtuese. Edhe pse ligjërisht bordet e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimi politik, në realitet bordet janë të mbushura me militantë partiakë.

Mbushja e bordeve me militantë partiakë dhe familjarë të politikanëve është vendosur qysh në ditët e para prej kur kompetencat për menaxhimin e ndërmarrjeve kaluan nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit tek institucionet vendore. Në dhjetor të vitit 2008, Qeveria Thaçi 1 mori 15 vendime të ndryshme dhe mbushi bordet e 15 ndërmarrjeve publike me anëtarë të partisë. Pas reagimit të atëhershëm të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Qeveria zëvendësoi 14 nga 40 anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, por prapë shumica mbetën persona partiakë. Përkundër rënies së performancës së ndërmarrjeve publike, keqmenaxhimit financiar e humbjeve të mëdha teknike, në Qeverinë Thaçi 2 iu vazhdua automatikisht mandati anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.