Vështrime

Bideni kishte të drejtë

Afganistani e meriton mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për një të ardhme të parashikueshme. Por misioni ushtarak amerikan e ka kryer të veten. Mjerisht, më e mira që komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë tani është që të ndihmojë në lehtësimin e vuajtjeve njerëzore dhe t’i shtrëngojë afganët që të shikojnë kah demokracia, kompromisi dhe përmbajtja teksa vendi i tyre tani është në kërkim të një ekuilibri paqësor dhe të qëndrueshëm politik

Ishte torturuese t’i shohësh talebanët tek avancojnë nëpër Afganistan, duke i zhbërë brenda pak muajsh përpjekjet dydekadëshe të popullit afgan dhe komunitetit ndërkombëtar në ndërtimin e një shteti të denjë, të sigurt dhe funksional. Talebanët në fund e shtrinë avancimin e tyre nëpër vend të dielën, duke u vendosur në Kabul dhe duke e nxitur presidentin Ashraf Ghani në ikje.

Zaptimi faktikisht i pakontestueshëm taleban mbi Afganistanin ngre pikëpyetje të qartë rreth mençurisë së vendimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për tërheqjen e forcave amerikane dhe të koalicionit nga vendi. Megjithatë, paradoksalisht, shpejtësia dhe lehtësia e avancimit të talebanëve vetëm sa riafirmojnë se Bideni ka marrë vendim të drejtë – dhe se nuk duhet të zmbrapset nga shtegu.