Vështrime

Bota e krijuar nga 11 Shtatori

Nuk është për t’u habitur se terrorizmi do të vazhdojë, pa përfundim. As mund të përjashtohet mundësia e një 11 Shtatori të ri, edhe pse Qeveria amerikane ka deklaruar së fundmi se “kërcënimi më urgjent nga terrorizmi”, me të cilin përballet vendi, është i ai i brendshëm

Kjo javë shënon 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Atë ditë, 19 terroristë morën kontrollin e katër aeroplanëve të udhëtarëve, dy i përplasën në kullat e Qendrës Tregtare Botërore, një në ndërtesën e Pentagonit, ndërkaq aeroplani i katërt u rrëzua në një lëndinë të Pensilvanisë kur udhëtarët parandaluan terroristët që të realizonin planin e tyre. Shpesh është menduar se cak ishte Shtëpia e Bardhë, ose ndonjë ndërtesë tjetër e Qeverisë amerikane në Washington.

Të gjithë terroristët ishin nga Lindja e Mesme, 15 vetëm nga Arabia Saudite. Të gjithë u trajnuan në Afganistan, dhe katër në shkollat ​​amerikane të fluturimit, si pjesë e një operacioni të planifikuar, organizuar dhe kryer nga Al-Qaeda (“baza”), grupi terrorist i kryesuar nga Osama bin Laden. Deri në fund të ditës, 2,977 burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm ishin vrarë dhe më shumë se 6 mijë ishin plagosur. Shumica ishin amerikanë, edhe pse qytetarët e më shumë se njëqind vendeve të tjera gjithashtu humbën jetën.