Vështrime

Izolimi i Kosovës!

Në një bisedë që ishte zhvilluar në mesin e viteve ‘70 në mes të Henry Kissinger dhe Zhou Enlai (kryeministër i atëhershëm i Kinës), ky i fundit ishte pyetur në lidhje me ndikimin që kishte revolucioni francez në zhvillimet botërore, Enlai ishte përgjigjur duke thënë se “…është shumë herët të dihet”. Kjo përgjigje më kujton si për ironi edhe zhvillimet e fundit politike që nga ndryshimet e zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti, ku pritjet e njerëzve ishin stratosferike përderisa realiteti i një implementimi me sukses i të gjitha këtyre pritjeve brenda një mandati qeverisës 4-vjeçar është shumë i vogël, të mos them figurativisht i papërfillshëm.

Pra, nuk është larg mendjes që duke e tërhequr një paralele në mes të asaj se si kinezët e përceptojnë botën dhe zhvillimin e civilizimit të tyre në dekada ose shekuj përpara dhe mënyrës se si i shohim ne gjërat, këtu mendoj unë që kemi një konstrukt të përafërt, pra diçka që na bashkon në mënyrën se si i përceptojmë planet zhvillimore dhe transformimin shoqëror që ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, ose kështu na dikton kjo qeveri, që më tepër i ngjan një qeverie që ka ardh në pushtet jo për të menaxhuar problemet ekonomike e sociale të njerëzve, por më tepër e luan rolin e një lëvizjeje kulturore dhe që më shumë preokupohet me metriksin e depërtimit në mendjen e popullit e të qeverisjes kulturalisht sesa me qeverisjen e problemeve akute socio-ekonomike.