Vështrime

Çudira të rrezikshme shqiptare

1.

Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë të ketë raporte të acaruara me pothuaj çdo kryeministër të Kosovës? Me Isa Mustafën, me Ramush Haradinajn, me Albin Kurtin. Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë në prani të kancelares gjermane të sulmojë Kosovën? Dhe vetëm Kosovën. Sepse Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën nuk i përmendi, ndonëse edhe ato refuzojnë “Open Balkan”. Madje kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiq, të martën deklaroi se Serbia nuk mund të jetë padrone e Ballkanit. Kurrë nuk do e dëgjoni presidentin serb duke atakuar politikanët serbë jashtë Serbisë. Pse e bën këtë kryeministri i Shqipërisë ndaj politikanëve të Kosovës?

1.

Kryeministri i Shqipërisë konsideron se vendi i tij do të integrohet në BE duke krijuar aleancë me kryeministrin antieuropian të Serbisë, i cili ka qenë pjesë e regjimit që kryeministrin e tanishëm të Kosovës e ka dënuar me 15 vjet burg për shkak se ka përkrahur çlirimin e Kosovës dhe është angazhuar për vlera euroatlantike. Aleanca aktuale mes kryeministrit në Tiranë dhe presidentit në Beograd nuk është aleancë vlerash. Besoj këtë e di edhe opinioni.