Vështrime

Kronisti i tmerrit

Lajmin e hidhur së pari e bëri publik familja e tij, pastaj të gjitha mediat në Bosnjë të dielën njoftuan se më 17 shtator 2021 ka ndërruar jetë Kemal Kurspahiqi, njëri prej gazetarëve më të njohur të Bosnjës dhe më gjerë në rajon. Kurspahiqi ishte kryeredaktor i gazetës “Oslobogjenje” mes vitit 1988-1994.

Me rastin e vdekjes së gazetarit të shquar boshnjak, Kemal Kurspahiq.

Lajmin e hidhur së pari e bëri publik familja e tij, pastaj të gjitha mediat në Bosnjë të dielën njoftuan se më 17 shtator 2021 ka ndërruar jetë Kemal Kurspahiqi, njëri prej gazetarëve më të njohur të Bosnjës dhe më gjerë në rajon. Kurspahiqi ishte kryeredaktor i gazetës “Oslobogjenje” mes vitit 1988-1994.

Kjo gazetë gjatë luftës në Bosnjë mbajti lart idealet e antifashizmit, tolerancës mes popujve dhe kundërshtoi me këmbëngulje agresionin serb kundër qytetit të Sarajevës. Në vitin 1992, kur Bosnjën e përfshinë flakët e luftës, “Oslobogjenje” u shpall gazeta e vitit në botë. Parlamenti Evropian i ndau “Oslobogjenjes” çmimin “Saharov”, të cilin e patën marrë edhe Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi. Word Press Review me seli në New York e shpalli Kemal Kurspahiqin redaktorin më të mirë në botë për vitin 1993. Më 1992 ai u shpërblye për guxim në gazetari nga International Women’s Foundation. Në vitin 2000, International Press me seli në Vjenë e shpalli hero të luftës për lirinë e shtypit. Në nivel ndërkombëtar, Kurspahiqi është gazetari më i shpërblyer nga rajoni. Të rralla janë gazetat e mëdha botërore që s’kanë botuar komente dhe analiza të Kurspahiqit. Ai botoi në “New York Times”, në “Washington Post”, në “Los Angeles Times”, në “Herald Tribune”.