Vështrime

Si të shmanget katastrofa globale e klimës

Rritja e ndërgjegjësimit dhe nxitja (dhe turpërimi) e politikëbërësve është e nevojshme, por jo e mjaftueshme për të shmangur atë që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i është referuar si një “katastrofë klimatike”

Dita më e nxehtë e regjistruar në Jordani që prej vitit 1960 ishte 49.3 gradë Celsius në korrik të vitit 2018, një muaj pasi u bëra kryeministër. Jordania nuk është e veçantë: valët e nxehtësisë në vitet e fundit kanë shkaktuar temperatura rekorde prej Kanadasë e deri në Australi. Efektet e ndryshimit të klimës (përfshirë shpeshtimin dhe ashpërsinë e përmbytjeve, uraganeve dhe thatësirave), teksa ndihen në nivel lokal, ndaj tyre kërkohet përgjigje globale, e cila duhet të përcaktojë objektiva detyrues që marrin parasysh kontributet e vendeve për problemin dhe zgjidhjen.

Jordania ka ndjekur vazhdimisht politika dhe programe për të zvogëluar emetimet e dyoksidit të karbonit. Gjatë 15 vjetëve të fundit, emetimet vjetore të Jordanisë për frymë kanë rënë nga 3.5 tonë në 2.5 tonë. Mirëpo Jordania, si shumica dërrmuese e vendeve, përbën një pjesë të papërfillshme të emetimeve globale të CO2 - vetëm 0.04% në vit. Pra, edhe nëse Jordania do ta kthente të gjelbër të gjithë ekonominë e saj brenda natës, vështirë se do të bënte ndonjë ndikim. Kjo nuk na heq përgjegjësinë, por nuk mund ta anashkalojmë faktin se emetimet janë të përqendruara: 20 emetuesit kryesorë përbëjnë pothuajse 80% të totalit vjetor, me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën që përbëjnë 38 për qind.