Vështrime

Të mirat dhe të këqijat në zgjedhjet e Gjermanisë

Pas paraqitjes më të keqe të CDU-së në histori të saj, thirrjet për hapje kundruall së djathtës ekstreme mund të bëhen më të fuqishme, ani pse partia ka humbur shumë votues ndaj SPD-së dhe të Gjelbërve. Vetë e djathta ekstreme tani është e ngulitur vendosmërisht në pjesët e Gjermanisë Lindore dhe është më e forta në Sanksoni dhe Turingia, ku, për dallim prej pjesëve të tjera të Gjermanisë, e ka mbështetjen e të rinjve dhe ku krahu i saj ekstremist e ka përcaktuar tonin. Ky krah tani do të trimërohet edhe më shumë. Dhe për viktimat lokale të nxitjes së urrejtjes nga e djathta ekstreme, është ngushëllim i madh që rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve nuk doli të ishte aq i keq sa disa mund të jenë frikësuar

Së pari, lajmi i keq. Në zgjedhjet federale të Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e së djathtës ekstreme ka pësuar humbje, por megjithëkëtë ka kaluar 10-përqindëshin. Me gjithë betejat e brendshme të vazhdueshme dhe skandaleve të shumta, partia duket të jetë një tipar i qëndrueshëm i peizazhit politik gjerman. Por lajmi i mirë është se zgjedhjet nuk i kanë mbështetur mençuritë e shumta lidhur me të djathtën ekstreme: Demokracitë perëndimore nuk janë të destinuara për të zhvilluar luftëra kulturore vazhdimisht; koalicionet e mëdha midis së majtës së qendrës dhe së djathtës së qendrës jodomosdoshmërisht i fuqizojnë ekstremet politike; dhe partitë socialdemokrate mund të kalojnë mirë edhe pa u ndihmuar nga nativizmi dhe islamofobia.

Shumë vëzhgues të sofistikuar kanë thënë se beteja midis liberalëve kozmopolitanë dhe komunitarëve më të “rrënjosur” (për ta përdorur në mënyrë sa më neutrale që është e mundur këtë frazë) këtyre ditëve e definon politikën në ekonomitë e avancuara. Derisa disa konflikte mund të kuptohen në kontekstin e pak a shumë ndasisë thjeshtësuese midis “kudosë” dhe “dikundit”, ekzistojnë edhe goxha sfida të tjera që nuk mund të reduktohen në këtë relacion binar.