Vështrime

Amerika duhet të tregohet e çiltër

Një vit i ri, kurdo dhe sido që ta shënojmë, duhet të jetë një rast për të vlerësuar atë hendek me ndershmëri radikale dhe për ta përdorur atë vlerësim për të udhëhequr një angazhim të përtërirë ndaj idealeve të shpallura. Nëse udhëheqësit tanë do ta bënin këtë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të dukej shumë ndryshe

Shtatori shënoi vitin e ri në kalendarin hebraik, vitin e ri shkollor për nxënësit anembanë botës dhe kulmin e diplomacisë, me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Viti i ri shënohet me urime e nisma të reja, të cilat kanë për qëllim t’u japin zgjidhje qëllimeve specifike. Por, derisa individët janë ata që zakonisht merren me jetësimin e tyre, të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe organizatat dhe shtetet-kombe.

Në fakt, ideja e mbarësisë së nisur nga Viti i Ri është një prej pjesëve të fjalimit të 21 shtatorit të presidentit Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme. Shtetet e Bashkuara, tha ai, po hapin “një epokë të re të diplomacisë së pamëshirshme; të përdorimit të fuqisë së ndihmës sonë zhvillimore për të investuar në mënyra të reja të ngritjes së mirëqenies së njerëzve anembanë botës; të ripërtëritjes dhe mbrojtjes së demokracisë”. Ai tha se këto vlera janë “të rrënjosura në ADN-në” e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara: “Liria, barazia, mundësia dhe bindja në të drejtat universale të të gjithë njerëzve”. Ai foli edhe për respektimin e të drejtave të njeriut, potencialin individual dhe “humanitetin e trashëguar që na bashkon”.