Vështrime

Letër KOHËS

Pas 27 vjetësh me KOHËN, rruga më çon në një drejtim të ri

Ishte nder dhe përvojë e jashtëzakonshme të jem gazetar, reporter, redaktor e kryeredaktor i “Kohës Ditore”, si dhe, kohët e fundit, përgjegjës për programin informativ edhe të KTV-së dhe koha.net-it.

Largohem me ndjenjën e përmbushjes profesionale, por edhe njerëzore; bashkë me qindra kolege e kolegë kemi ndërtuar një institucion medial me të cilin mund të krenohet e gjithë Kosova. Kemi ngritur një gjigant të kredibilitetit profesional jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët, por me përmasa rajonale e botërore. Kemi qenë pikë e referencës në kërkimin e së vërtetës për Kosovën dhe rreth saj, që ndiej se ka qenë kontributi ynë në përpjekjen e gjithë popullit për liri, pavarësi dhe demokraci.