Vështrime

I ndritur si zog

Njerëzit mund të kënaqen duke i parë zogjtë pa qenë nevoja t’i zotërojnë ata. Vëzhgimi i shpendëve është një hobi gjithnjë e më i popullarizuar mbarë botën, duke ofruar mundësinë e mijëra specieve për t’u parë dhe pa pasur nevojë për të pastruar kafaze. Ky hobi lulëzoi gjatë bllokimit nga koronavirusi dhe duket se po mban shumë ndjekës të rinj - shpesh akoma më të rinj se gjatë asaj kohe. Të shpresojmë se kjo do të vazhdojë. Vëzhguesit e shpendëve kanë qenë prej kohësh në krye të përpjekjeve për të mbrojtur speciet e egra dhe mjedisin e tyre. Zvogëlimi i popullimit të zogjve të egër ka nevojë për këto përpjekje më shumë se kurrë më parë

Zogjtë gjenden anembanë botës, në mjedise të ndryshme, nisur prej pinguinëve në Antarktikë deri te pëllumbat në Sheshin Trafaglar, e nga harabelat e njohur në lëndinat tona deri tek albatrosët e mëdhenj që kalojnë vite në det pa e prekur kurrë tokën. Ka më shumë se 10.000 lloje që arrijnë në shumë miliarda individë të egër. Kësaj duhet t’i shtojmë dhjetëra miliarda zogj që i rrisim për mishin a vezët e tyre dhe të tjerët që i mbajmë si kafshë shtëpiake.

Për fat të keq, pothuajse një në shtatë nga këto mbi 10.000 specie shpendësh janë aktualisht në rrezik të zhdukjes. Madje edhe speciet e zakonshme janë në rënie. Një studim i bërë së fundi ka vlerësuar se popullsia totale e shpendëve të të gjitha llojeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada ka rënë prej 30 për qind që nga viti 1970.