Vështrime

Paradokset e mesnatës: “Oscari” dhe tre të rinj në lloç

Kontrasti i përditshmërisë në dukje është paradoks në esencë. Loja me to është ikja nga zhgënjimi e frika që paradokset të mos shndërrohen në paradigmë për gjetjen e zgjidhjes. Një rrugë e përbaltur është imazhi i talljes nga pushteti. Në perspektivë: rruga që ia shtrojmë vetes dhe atyre që vijnë pas nesh. Ajo që ndodh brenda një çerek ore, në mesnatë, midis atyre që ëndërrojnë, pushtojnë botën dhe mbërrijnë deri në “Oscar” dhe tre të rinjve që mbesin në lloç. Të tjerat janë në mes

Kishte kaluar çerek ore prejse kishim mbyllur gazetën (ende është gati e njëjta procedurë, ani pse ajo nuk shtypet në letër si ky numër festiv) pasi e pritëm deri vonë, ceremoninë e atij që quhet “Oscar” evropian. “Pa vend” i shpëtoi nga dora fitorja, regjisori Samir Karahoda u lidh direkt nga Prizreni në ceremoninë në Berlin, trofeun s’e mori, por pak kishte rëndësi. S’do të mendonim gjatë për titullin, synonim t’i iknim zhgënjimit dhe ta ruanim entuziazmin, ashtu sikurse sportistët e këtij filmi, e krejt ekipi i atyre që e realizuan.

Është një soj ndenje e përsëritshme, bëhet rutinë e pashmangshme jo rrallë e bezdisshme, kur vetvetiu titujt e një numri të sapopërfunduar gazete rikthehen në kokë me intensitetet jo rrallë trullosës që sa vjen e shtohet veçmas në lëvizje me makinë.