Vështrime

A e ka dorëzuar Bideni Ukrainën?

Në këto rrethana, një luftë ende mund të shmangej vetëm duke i bërë kostot e Putinit vërtet të padurueshme. Do të duhej të ekzistonte një kërcënim i besueshëm se Perëndimi do të vendoste sanksionet më të ashpra që mund të imagjinohen. Përveç anulimit të Nord Stream 2 dhe largimit të bankave ruse nga SWIFT, këto mund të përfshijnë vendosjen e një embargoje ndaj tregtisë së rëndësishme me Rusinë; armatosja e ukrainasve me armë konvencionale të përshtatshme për kërcënimin rus; sekuestrimi i të gjitha pasurive të oligarkëve rusë jashtë vendit – përfshirë miliardat e shumta që vetë Putini ka vjedhur

Pas një heshtjeje të gjatë misterioze, presidenti amerikan, Joe Biden, ka folur për përqendrimin gjithnjë në rritje të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Ai do të ishte më mirë të heshtte, duke pasur parasysh mesazhin e tij mahnitës dhe të rrezikshëm. Zyrtarëve të NATO-s – dhe ndihmësve të tij – u është dashur të përpiqen të ripërcaktojnë kuptimin e fjalëve të tij.

Kur u pyet në një konferencë për media nëse mendonte se presidenti rus Vladimir Putin do të sulmonte përsëri Ukrainën, Bideni tha: “Mendoj se ai do të lëvizë. Ai duhet të bëjë diçka”. Për më keq, Bideni zbuloi më pas se nuk ka unitet midis anëtarëve të NATO-s se sa i ashpër duhet të jetë kërcënimi me sanksione të reja kundër Rusisë. Gjithçka që Aleanca do të bëjë në përgjigje të një pushtimi të Ukrainës është të vendosë më shumë trupa në Poloni dhe Rumani. Kjo përgjigje është krejtësisht e papërshtatshme për shkallën e krimit që Putini po kërcënon të kryejë.