Fytyra pozitive e Evropës: spanjollët i bëjnë presion qeverisë së tyre të pranojë refugjatë.
Qeveria e Sllovakisë ka dorëzuar padi kundër Bashkimit Evropian, sepse sipas planit për shpërndarjen e refugjatëve ky shtet duhet të pranojë 800 refugjatë. Politikanë qeverisës të këtij vendi, me përjashtim të presidentit, kanë deklaruar se nëse pranojnë ndonjë refugjat nga Siria, atëherë ai duhet të jetë patjetër i krishterë. Në Varshavë prokuroria ka filluar hetimet kundër një teatri, i cili akuzohet se me një shfaqje paskësh lënduar ndjenjat fetare të qytetarëve të krishterë. Aspak i krishterë nuk është, ndërkaq, qëndrimi i qeverisë së Varshavës ndaj refugjatëve. Ata duhet të gjejnë strehë gjetiu, jo në Poloninë katolike. Popullisti i djathtë holandez, Geert Wilders, premton se nëse fiton në zgjedhjet parlamentare dhe krijon qeverinë, do të ndalojë Kuranin. Kryetari i Çekisë, Milosh Zeman, lavdëron Vladimir Putinin dhe sistemin e tij kleptokratik, ndërsa apelon që bashkëvendësit e tij të mos pranojnë refugjatë, sepse nëse bëjnë të kundërtën do të krijohet trualli i përshtatshëm për “sulme barbare”. Pak a shumë të njëjtën gjuhë e flasin edhe popullistët austriakë dhe ata francezë të prirë nga Marine le Pen. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i ka paraprirë izolimit duke filluar ngritjen e gardheve me tela me gjemba kundër refugjatëve. Në shumë anë të Evropës po shtrihet një nacionalizëm ksenofobik, një dëshirë e madhe për provokim dhe izolim në bahçe nacionale.
Por diku, në një cep jugor, po shihet fytyra pozitive e Evropës: në Spanjë. Para dhjetë ditësh mbi 160 mijë spanjollë vërshuan rrugët e Barcelonës për të protestuar jo kundër refugjatëve, por për refugjatët. Me atë rast nuk u brohoritën parulla raciste, as thirrje për izolim, por u kërkua me ngulm nga qeveria që të pranojë më shumë refugjatë. Protesta u organizua nga shoqata “Casa nostra casa vostra” (Shtëpia jonë, shtëpia juaj). Në vjeshtë të vitit 2015 qeveria spanjolle ishte zotuar se do të pranonte 16 mijë refugjatë prej 160 mijë sa ishin dakorduar krerët e BE-së për t'i shpërndarë në shtetet anëtare. Media spanjolle shkruajnë se deri më tani as 100 refugjatë nga Lindja e Afërt nuk kanë ardhur në Spanjë. Shumë demonstrues në Barcelonë bartnin rroba të kaltra për të simbolizuar një “valë të vullnetit të mirë” për pranimin e refugjatëve. Janë shpeshherë gratë në Spanjë që angazhohen për më shumë solidaritet ndaj të mjerëve të kësaj bote. Kryetarja e Barcelonës, Ada Colau, e cila më parë ka qenë një anarkiste e majtë që ka zaptuar shtëpi me qëllim që të pastrehët të kenë kulm mbi kokë, ka akuzuar qeverinë për izolim të vendit. Manuela Carmena, kryetare e Madridit, ka vendosur në selinë e saj, në pallatin Cibeles, një pankartë me shënimin: “Refugees welcome”.
Demonstrata me 160 mijë pjesëmarrës tregon se është e mundshme edhe një politikë tjetër - një politikë e ndarjes së barrës së refugjatëve mbi disa supe. Nëse Gjermania pranon një milion refugjatë, atëherë edhe vendet e tjera duhet të tregojnë solidaritet në bazë të mundësive të tyre. Nëse sllovakët refuzojnë të pranojnë 800 refugjatë, atëherë kështu deformohet ideja e BE-së, e cila përveçse është një treg i madh për mallra duhet të jetë edhe një hapësirë ku respektohen disa vlera - mes tyre qenësor është edhe solidariteti mes shteteve anëtare të BE-së. Spanja po ballafaqohet qe një dekadë me një krizë të rëndë ekonomike. Gjatë kësaj periudhe 700 mijë spanjollë mes moshës 24 dhe 34-vjeçare kanë braktisur vendin në kërkim të punës në shtetet e tjera të Evropës. Shumë prej tyre ia kanë dalë disi të sigurojnë ekzistencën, të jetojnë e mbijetojnë (sidomos falë solidaritetit familjar). Këtë e kanë bërë pa zhurmë, me besim se edhe krizës i vjen fundi, me besim se rezultati mund të ndryshojë brenda pak minutave ashtu si në ndeshjet e futbollit të Barcelonës, Real Madridit apo kombëtares spanjolle, me besim se eksperimentet politike - për shembull, duke përkrahur ndonjë parti të djathtë radikale - nuk do të jenë në favor të Spanjës. Gjendja nuk është aq e mirë ende, shumë spanjollë duhet të mbijetojnë disi me 1.000 euro rrogë, një shumë që është pak për të jetuar e shumë për të vdekur, papunësia sillet rreth 20 për qind. Dhe prapë nuk ka kryengritje kundër të huajve në Spanjë. Përse? Përgjigjen e dha këto ditë “Süddeutsche Zeitung”: “Nëse pyet përse nuk ka kryengritje në Spanjë përkundër mjerimit të madh, përse këtu askush nuk e sheh të nevojshme të zgjedhë popullistët e djathtë, të cilët konstruktojnë një pseudoidentitet nga bërlloku nacional, atëherë ja përse: spanjollët nuk kanë deficite identiteti, për dallim nga britanikët e Brexitit apo gjermanët e AfD-së (parti e djathtë radikale), të cilët komplekset e tyre i shërojnë kundër të huajve. Spanjollët e dinë se kush janë - ata janë të rrënjosur në vendin e tyre, të lidhur me vendin e tyre, të bindur nga kultura e tyre dhe të ruajtur nga familja. Kështu ka qenë në kohën e piratëve dhe luftërave të maurëve. Dhe ende është kështu në kohën e krizës së euros, e cila assesi nuk është tejkaluar”.
Spanjollët e dinë se si vend i turizmit nuk mund t'i lejojnë vetes të jenë racistë. Të jesh racist ndaj refugjatëve herët apo vonë kjo do të vërehet edhe te numri i turistëve. Askush nuk bën me qejf pushime në vende raciste. Pastaj është diçka tjetër që spanjollët i bën të hapur ndaj botës: tradita e mërgimit, e largimit me trastë në sup - në kërkim të punës, fatit, jetës më të mirë. Por ndoshta luan rol edhe historia më e re e Spanjës: kujtesa ndaj diktaturës së Francos dhe vlerësimi që i bëhet demokracisë, e cila Spanjën e ka nxjerrë nga terri i arbitraritetit dhe e ka bërë shtet të respektuar jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në BE dhe botë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.