Ani pse forcat e armatosura të Ukrainës janë dukshëm më pak në numër sesa ato të presidentit rus, Vladimir Putin, që pushton vendin tonë, ne marrim zemër nga mbështetja në rritje që marrim nga miqtë jashtë vendit. Askush nuk duhet të harrojë se ky nuk është thjesht pushtim i paprovokuar i Ukrainës; është sulm ndaj botës së lirë.
Putini ka qenë në luftë me botën e lirë me dekada. Ai ka urdhëruar vrasjen e të mërguarve rusë në tokë të huaj, në vende demokratike si Mbretëria e Bashkuar. Ka ndërhyrë në zgjedhjet demokratike, si në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë Evropën. Ai dhe miqtë e tij kanë plaçkitur Rusinë dhe kanë pastruar paratë jashtë vendit. Ai ka përhapur dezinformata në mbarë botën dhe ka shtypur disidencën në shtëpi. Në vitin 2008 dërgoi forcat ruse në Gjeorgji, ku vazhdojnë të pushtojnë pjesë të mëdha të atij vendi. Dhe së fundmi ka pushtuar Bjellorusinë – tani një pikënisje për luftën e tij kundër Ukrainës.
Në Ukrainë, forcat e Putinit kanë shfaqur egërsi të tmerrshme, duke bombarduar blloqe apartamentesh, spitale, shkolla dhe infrastrukturë tjetër thelbësore civile që është kritike për jetën civile urbane. Bombardimi i Sheshit të Lirisë në Kharkiv dhe përdorimi i municioneve thërrmuese në qytete janë shembuj të paqartë të krimeve të luftës. Trupat ruse po kryejnë akte gjenocidi kundër popullit ukrainas.
Për shkak se trupat e Putinit kanë pushtuar vende të ndjeshme që përmbajnë materiale radioaktive në Çernobil dhe Kiev, kërcënimi i katastrofës bërthamore është gjithashtu mbi ne. Vendimi i tij, fundjavën e kaluar për të vendosur forcat taktike bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë, është një tjetër shenjë se ai nuk ka kufij.
Sa më gjatë të vazhdojë sulmi i Putinit ndaj Ukrainës, aq më të mëdha janë gjasat që vendet e tjera të kenë nevojë të ndërhyjnë më me forcë. Nuk është sekret se objektivi i Putinit shtrihet përtej Ukrainës. Ai dëshiron një rikthim në Konferencën e Jaltës të vitit 1945, kur liderët botërorë ndanë Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore sipas sferave të ndikimit perëndimor dhe sovjetik. Vetëm javën e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit lëshoi kërcënime të drejtpërdrejta kundër Suedisë dhe Finlandës – dy vende që, si Ukraina, janë evropiane, por jo anëtare të NATO-s.
Bota e lirë ka filluar të zgjohet me përmasat e kërcënimit që paraqet Putini. Për një kohë të gjatë, përgjigja globale ishte shumë e vogël dhe shumë e vonshme. Mirëpo duke i dëbuar disa banka ruse nga sistemi i mesazheve financiare SWIFT, duke ngrirë një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të këmbimit valutor të Rusisë dhe duke na furnizuar me pajisje ushtarake të avancuara, bota e lirë po e ndihmon Ukrainën që të largojë Putinin.
Ne i jemi mirënjohës Polonisë dhe fqinjëve të tjerë perëndimorë që kanë bërë gjithçka që munden për të akomoduar refugjatët ukrainas – megjithëse tani e kuptojmë se Rusia po vendos parashutistët për të terrorizuar këta njerëz dhe për të mbyllur kufijtë tanë perëndimorë.
Për t'i rezistuar Rusisë dhe për të shpëtuar Ukrainën, ne kemi nevojë për ndihmë të menjëhershme. Si fillim, ne u bëjmë thirrje fuqive perëndimore të zbatojnë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë për të parandaluar bombardimet e vazhdueshme ajrore të qendrave të popullsisë civile. Së dyti, vendet e tjera duhet të vendosin embargo të naftës dhe gazit ndaj Rusisë, për të ndërprerë burimin e saj kryesor të të ardhurave. Së treti, qeveritë duhet të dëbojnë diplomatët rusë, t'i mohojnë Rusisë të drejtat e zbarkimit dhe të ndalojnë të gjitha kanalet e medias ruse. Dhe, së fundi, ne po bëjmë thirrje për revokimin e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e ndjekur nga një gjykatë speciale për krimet e luftës për të ndjekur penalisht Putinin dhe zyrtarët e tjerë fajtorë për krimet kundër njerëzimit që janë bërë element kryesor i politikës ruse në Ukrainë.
Ushtria terroriste e Putinit mund të shkaktojë dëme të tmerrshme në qytetet tona, por ajo kurrë nuk do të marrë kontrollin e Kievit, kryeqytetit dhe shtëpisë shpirtërore të Ukrainës. Ai mund të përpiqet të fshijë qytetin tonë nga harta me bombardime, por ne nuk do të kapitullojmë kurrë.
Teksa jam ulur këtu në periferi të Kievit, politikanët ukrainas të të gjitha shtresave janë mbledhur së bashku me drejtues të shoqërisë civile dhe parlamentarë të huaj për të kundërshtuar sulmin e egër të Putinit ndaj vendit tonë.
Ndërsa forcat tona të armatosura dhe qytetarët e guximshëm po i rezistojnë pushtimit kriminal të Putinit në qytetet dhe pyjet e Ukrainës, ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që mundemi për të mbrojtur veten. Ne e dimë se kemi të vërtetën dhe lirinë në anën tonë. Të gjitha vendet e lira duhet ta dinë se lufta që na ka detyruar Putini nuk është vetëm e jona.
(Ivanna Klympush-Tsintsadze është kryetare e Komisionit Parlamentar të Ukrainës për Integrimin e Ukrainës në BE. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.