Kryeministri autokratik i Hungarisë, Viktor Orban, pritej të fitonte rizgjedhjen për një mandat të katërt radhazi këtë fundjavë, për shkak të një sistemi zgjedhor të manipuluar dhe një media të kontrolluar kryesisht nga shteti, që e bëri të pamundur për opozitën të arrijë shumë votues. Mirëpo shkalla e fitores së Orbanit e ka tronditur shumicën e vëzhguesve. Kandidati i Bashkë për Hungarinë, Peter Marki-Zay, e ka humbur votën popullore me 53% kundrejt 35%, duke i dhënë Partisë Fidesz të Orbanit një supershumicë kushtetuese në Parlament. Kjo ishte humbje dërrmuese edhe për Bashkimin Evropian.
Ndoshta rezultati do ta detyrojë opozitën e Hungarisë të marrë parasysh arsyet kryesisht ekonomike pse kaq shumë njerëz votojnë për Orbanin. Pas fitores gjithëpërfshirëse të Fidesz në zgjedhjet e 2010 dhe viteve të vështirësive ekonomike, shumica e hungarezëve përjetuan rritje të standardeve të jetesës. Ndërkohë që një rimëkëmbje ekonomike pas vitit 2014, që krijoi mijëra vende të reja pune, e ndihmoi Orbanin, e politikat e tij luajtën rol të madh, duke krijuar një koalicion ndërklasor për Fidesz.
Opozita liberale e Hungarisë është tallur kryesisht me këto politika dhe nuk ka arritur të ofrojë një alternativë të fortë. Ama përfituesit kishin frikë se do të humbnin nëse Orbani votohej jashtë pushtetit.
Disa raporte të shtypit janë përqendruar në ngrirjen e çmimeve të gazit nga Orban dhe shpërndarje të tjera të mëdha përpara zgjedhjeve. Duke iu përgjigjur inflacionit galopant në fund të vitit 2021, Orban uli çmimet e mallrave bazë si mielli, sheqeri, vaji dhe pula. Këto masa, që të kujtojnë shumë epokën komuniste, dolën të njohura. Qeveria gjithashtu ka kërkuar që stacionet e karburanteve t’i shesin ato me çmime më të ulëta se të tregut. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Qeveria i detyroi shitësit me pakicë t’i hanin kostot teksa çmimet u rritën, ose përndryshe i humbnin bizneset e tyre. Hungaria u bë i vetmi vend evropian ku çmimet e karburantit nuk u rritën, duke e përforcuar imazhin e Orbanit si një udhëheqës i fortë.
Por politikat afatgjata të Orbanit për të përmirësuar mirëqenien e votuesve me sa duket i kanë shpëtuar vëmendjes së shumicës së analistëve, pavarësisht rolit të tyre themelor në krijimin dhe ruajtjen e bazës së tij besnike. Këto politika u përqendruan në rritjen e punësimit dhe pagës në shtëpi, duke kanalizuar përfitime bujare sociale për familjet që punojnë me fëmijë dhe jo për të varfrit që nuk punojnë dhe u shtruan në një diskurs të rinovimit kombëtar.
Pas vitit 1989, politikat neoliberale të tranzicionit i kushtuan Hungarisë, një vend me dhjetë milionë banorë, një milion vende punë, rënie shkatërruese. Qeveria e Orbanit u përpoq ta përmirësonte këtë gjendje duke ndërtuar një “shoqëri të bazuar në punë” që përdor instrumente të ndryshme për ta nxitur punësimin, duke përfshirë stimujt e taksave për punëdhënësit e mëdhenj dhe një program popullor të punëve publike për njerëzit e varfër në zonat rurale që krijoi 200.000 vende pune me pagë minimale. Sipas të gjitha raporteve, programi i punësimit e fitoi besnikërinë e shumë njerëzve që u ndien të lënë pas dore nga tranzicioni ekonomik.
Diçka po aq e rëndësishme është se Qeveria e Orbanit përdori politikat e tjera për ta rritur fuqinë blerëse, në mënyrë që shumica e hungarezëve, duke përfshirë edhe ata me të ardhura të ulëta, të mund të mendonin me të drejtë se po ecnin më mirë që nga mesi i viteve 2010. Orban e rriti vazhdimisht pagën minimale statutore çdo vit, derisa ajo tejkaloi nivelin minimal të jetesës në vitin 2018, që ishte hera e parë që nga viti 1989. Në përgatitje për zgjedhjet e fundit, Qeveria e Orbanit rriti përsëri pagën minimale me 20%, duke përfituar një milion punonjës drejtpërsëdrejti e duke krijuar gjithashtu presion për t’i rritur pagat për punëtorët më të kualifikuar.
Përveç këtij theksimi mbi punët dhe pagat, Orban e ka ndërtuar popullaritetin e tij në politikat familjare që, megjithëse larg të qenët të drejta, u siguruan nivele të papara burimesh publike familjeve me fëmijë. Duke përjashtuar prindërit e papunë, punonjësit e sektorit publik dhe ata aktivë në ekonominë në hije, Orban mund t’i përqendrojë burimet e Qeverisë së tij në shërbimin e familjeve që punojnë në sektorin zyrtar privat.
Për shembull, familjet me tre ose më shumë fëmijë janë praktikisht të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale që nga viti 2012; që nga viti 2019, familjet kanë marrë grante dhe kredi të mëdha për të blerë makina, për të ndërtuar apo blerë shtëpi, si dhe një rimbursim të plotë të TAP-it në fillim të vitit 2022. Me rritjen e punësimit pas vitit 2014, më shumë familje filluan të përfitojnë. Duke reflektuar rëndësinë e këtyre politikave pro familjes, në mars, gjatë kulmit të fushatës zgjedhore, Parlamenti i kontrolluar nga Fidesz zgjodhi ministren përgjegjëse për zbatimin e tyre, Katalin Novak, si presidentja e parë femër e Hungarisë.
Orban i ka përshtatur politikat ekonomike të Qeverisë së tij si pjesë e një lufte kundër armiqve të ndryshëm, duke përfshirë emigrantët myslimanë dhe, që nga viti 2020, “propagandën LGBTQ+”. Ai është një mjeshtër për të tmerruar popullsinë dhe për ta paraqitur veten si shpëtimtar të Hungarisë, për të mposhtur armiqtë e imagjinuar, për të forcuar familjen tradicionale dhe për të rritur shkallën e lindjeve. Duke përdorur një imazh të një nëne dhe një vajze ruse në tabelat në të gjithë vendin, Fidesz zhvilloi një fushatë për të mbrojtur “fëmijët hungarezë”, duke iu lutur votuesve të refuzonin “propagandën homoseksuale” në një referendum të mbajtur njëkohësisht me zgjedhjet.
Mos bëni gabim: politikat ekonomike të Orbanit luajnë një rol po aq të rëndësishëm në suksesin e tij politik, sa edhe shtrembërimet e dokumentuara gjerësisht të sistemit elektoral të Hungarisë. Megjithatë, opozita nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet në mënyrë efektive. Shumë votues e identifikuan Marki-Zay dhe partitë pas tij me politikat ekonomike neoliberale që i kushtuan kaq shtrenjtë Hungarisë dhe vendeve të tjera postkomuniste në vitet 1990 dhe Fidesz shfrytëzoi dyshimin e tyre.
Hungarezët janë të gatshëm të votojnë për një lider të fortë që shkel normat evropiane nëse u shërben interesave të tyre ekonomike. Sfida për opozitën e Hungarisë është të krijojë një kombinim të politikave ekonomike dhe sociale që tërheq një shumicë të fortë të publikut votues, duke përfshirë klasën e mesme në rritje dhe ata që kanë mbetur pas nga tranzicioni ekonomik dhe politikat e Orbanit.
(Dorottya Szikra, hulumtuese e lartë në Qendrën për Shkenca Sociale në Budapest, profesoreshë vizitore në Universitetin e Evropës Qendrore në Vjenë. Mitchell A. Orenstein, profesor i Studimeve Ruse dhe Evropës Lindore në Universitetin e Pensilvanisë. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.