Vështrime

Kina do të jetë humbësja më e madhe e deglobalizimit

Borxhi i lartë, plakja e shpejtë e popullsisë dhe sektor në rënie të pasurive të paluajtshme do të vazhdojnë të pengojnë rritjen e PBB-së, ndërkohë që pabarazia e mprehtë e të ardhurave, rritja e kostove të strehimit dhe mbrojtja e pamjaftueshme sociale do të kufizojnë kërkesën e konsumatorëve

Lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës ka përshpejtuar ndarjen e botës në dy blloqe, njëra që përfshin demokracitë e botës dhe tjetra autokracitë e saj. Kjo, nga ana tjetër, ka ekspozuar rreziqet e natyrshme në ndërvarësinë ekonomike midis vendeve me ideologji të kundërta dhe interesa sigurie. Dhe ani pse procesi i ardhshëm i deglobalizimit do t'i lërë të gjitha në gjendje të keqe, Kina do të humbasë më së shumti.

Sigurisht, Kina po shkonte drejt një shkëputjeje të pjesshme me Shtetet e Bashkuara shumë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Dhe ajo ka kërkuar të sigurojë që ky proces të ndodhë sipas kushteve të saj, duke reduktuar varësinë nga tregjet dhe teknologjia amerikane. Për këtë qëllim, në vitin 2020 Kina zbuloi të ashtuquajturën ‘strategjinë e saj të qarkullimit të dyfishtë’, e cila synon të nxisë kërkesën e brendshme dhe vetëmjaftueshmërinë teknologjike.