Vështrime

Dilema paszgjedhore e Macronit

Pyetja që shtrohet për Macronin është se si t’u japë votuesve të tij të raundit të dytë arsye të qëndrueshme që të besojnë se ai i ka dëgjuar. E vetmja gjë që ai nuk mund dhe nuk do të duhej që të bëjë është të ndalojë së çuari përpara të reformave ekonomike që mendon se do ta vënë Francën në shtegun e rigjallërimit ekonomik. Arsimi nuk mund të presë, raporti i shkallës së të punësuarve në mesin e popullatës është ende nëntë pikë përqindjeje më i ulët sesa në Gjermani, ndërsa shoqëri në mplakje nuk mund ta lërë reformën pensionale pa një mbikëqyrje

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i rizgjedhur me 58 për qind të votave, mori 85 për qind të votave të parisienëve dhe tri të katërtat e votave të Seine-Saint-Denisit, zonë kjo e klasës punëtore në periferi të kryeqytetit, ku rreth 30 për qind e popullsisë është prej jashtë vendit. Mirëpo në distriktin Somme, ku u rrit Macroni, kundërshtarja e tij e ekstremit të djathtë, Marine le Pen, ishte përpara. Edhe në Pas-de-Calais, ku Macroni ka një shtëpi, ajo i mori 58 për qind.

Në këtë vend thellësisht të ndarë duket se nuk ka ndonjë parashikues më të mirë të votës sesa largësia nga qendrat metropolitane.