Vështrime

Komedia e maskave

Pandemia gati është harruar, por një udhëtim me tren nga Zürichu në München dhe rregullat e ndryshme për bartjen e maskës kanë potencial edhe humoristik.

Në Zvicër ka disa javë që udhëtarët nuk janë të obliguar të bartin maskë në tren, anije, tramvaj e autobus, pra në atë që quhet transport publik. Aty-këtu ende shihen njerëz që bartin maskë për t’u mbrojtur nga pandemia, e cila është këtu, mes nesh, ndonëse dukshëm e ka humbur potencialin frikësues. Kur sheh njerëz me maskë në tren, ata të duken pak si jashtëtokësorë, një relikt i kohërave të shkuara.

Udhëtarët e trenit nga Zürichu në München nuk janë të obliguar të bartin maskë deri në kufi me Austrinë. Para se treni të futet në Austri, konduktori paralajmëron se udhëtarët duhet të bartin një maskë FFP-2, pra maskë mbrojtëse, e cila dallon nga maska e thjeshtë, pasi që FFP-2 ofron mbrojtje më të madhe. Udhëtarët e njëjtë tani bartin maska FFP-2. Kjo nuk zgjat aq sepse pas nja 15-20 minutave treni hyn në Gjermani – atje vlejnë rregulla të tjera: në trenat e distancave të gjata mjafton një maskë higjienike.