Vështrime

Rivendosja e masave parandaluese

Parandalimi ka të bëjë me bindjen e një kundërshtari se mosbërja e diçkaje është në interesin e tij më të mirë. Rusia fillimisht u përpoq t’i pengonte Ukrainën dhe Perëndimin duke vendosur trupat e saj përgjatë kufijve të Ukrainës

Bruksel – Ndërkohë që shefat ushtarakë të NATO-s takohen në Bruksel për ta diskutuar luftën në Ukrainë, çështja tjetër në mendjen e tyre është Koncepti Strategjik i ardhshëm i aleancës, që do t’i formësojë prioritetet e saj për vitet në vijim. Dhe këtu, sjellja e Rusisë ka treguar se rivendosja e parandalimit duhet të luajë rol qendror.

Kur Rusia ka filluar të grumbullonte trupa në kufirin e Ukrainës në fund të vitit të kaluar, ajo nisi rrugën e agresionit jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër asaj që e quan “Perëndimi kolektiv”, veçanërisht Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Rusia po kërkonte ta pengonte Ukrainën dhe Perëndimin nga rritja e bashkëpunimit, teksa Perëndimi po kërkonte ta pengonte Rusinë nga agresioni. Pushtimi i mëvonshëm rrjedh nga një dështim masiv i parandalimit.