Vështrime

Idetë për “Bashkësi politike” nuk e përshpejtojnë zgjerimin e BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmbylli xhiron e parë të vizitave bërë vendeve të Ballkanit Perëndimor duke qëndruar në Beograd, Tiranë dhe Sarajevë. Më vonë, me gjasë gjatë muajit qershor, do të vizitojë edhe Prishtinën, Shkupin dhe Podgoricën. Vizitën e nisi në Beograd ku, mes të tjerash, poqën qebapë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Disave në Bruksel e në kryeqytetet e vendeve anëtare nuk u pëlqeu shumë kjo “afërsi e tepruar për këtë moment” me presidentin e shtetit, i cili nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Për të mos e lënë me përshtypjen se në Beograd janë qebapët më të mirë sesa në Sarajevë, kryetarja e qytetit të Sarajevës me Charles Michelin vizitoi një qebaptore në Bash Qarshi, pjesën e vjetër të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës. Kush e di, ndoshta kur ta vizitojë Kosovën do të bëjë flija me presidenten Vjosa Osmani apo me kryeministrin Albin Kurti.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka nisur të sqarojë idenë e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane” dhe është nxituar të pohojë se kjo “nuk ka kurrsesi qëllim ta zëvendësojë zgjerimin apo të japë argument të ri për zvarritje”. Por sa herë që dalin ide të tilla, ato ndikojnë në procesin e tashëm të zgjerimit. Kjo ide është alternativë së paku deri kur BE-ja të mos zgjerohet, e ajo ditë nuk do të vijë shpejt

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmbylli xhiron e parë të vizitave bërë vendeve të Ballkanit Perëndimor duke qëndruar në Beograd, Tiranë dhe Sarajevë. Më vonë, me gjasë gjatë muajit qershor, do të vizitojë edhe Prishtinën, Shkupin dhe Podgoricën. Vizitën e nisi në Beograd ku, mes të tjerash, poqën qebapë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Disave në Bruksel e në kryeqytetet e vendeve anëtare nuk u pëlqeu shumë kjo “afërsi e tepruar për këtë moment” me presidentin e shtetit, i cili nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Për të mos e lënë me përshtypjen se në Beograd janë qebapët më të mirë sesa në Sarajevë, kryetarja e qytetit të Sarajevës me Charles Michelin vizitoi një qebaptore në Bash Qarshi, pjesën e vjetër të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës. Kush e di, ndoshta kur ta vizitojë Kosovën do të bëjë flija me presidenten Vjosa Osmani apo me kryeministrin Albin Kurti.

Michel mund të jetë kthyer në Bruksel me përshtypje të mira. Sepse liderët e vendeve të Ballkanit nëse për asgjë tjetër, janë mjeshtër për të krijuar përshtypje të mira te mysafiri. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në konferencën për shtyp me presidentin e Këshillit Evropian, foli me një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo që përdor në mediat e vendit të tij. Përmendi rëndësinë që ka BE-ja si “investuesi më i madh në Serbi” dhe si “partneri bindshëm më i madh tregtar”. Tha, po ashtu, se “nuk është risi se BE-ja kushtëzon procesin e integrimit të Serbisë me normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën”. Pra, nuk tha asgjë që nuk do të tingëllonte mirë në veshët e mysafirit të lartë nga Brukseli. E tash presidenti i Serbisë do të bisedojë edhe me një mik tjetër të tij, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Dhe kështu Serbia, si e privilegjuar, vazhdon të ulet në dy apo tri ulëse.