Vështrime

Qasja në drejtësi në Kosovë: në mes të deklarimit dhe realitetit

Qasja e plotë dhe adekuate në drejtësi mbetet një nga parimet fundamentale për funksionimin e mirëfilltë të shtetit ligjor. Në Kosovë, sfidat dhe problemet që hasin qytetarët për t’iu qasur institucioneve të drejtësisë mbesin të mëdha, duke nisur që nga mungesa e llogaridhënies, transparencës, e deri tek efikasiteti i këtyre institucioneve për të siguruar një të drejtë të tillë themelore.

Dokumente të shumta ndërkombëtare, përfshirë Listën e Kontrollit të Sundimit të Ligjit të Komisionit të Venecias (tutje: Lista), paracaktojnë qartë standardet e qasjes në drejtësi sikurse pavarësinë, paanshmërinë, gjykimin e drejtë dhe drejtësinë kushtetuese. Standardet e tilla si ato të Komisionit të Venecias duhet t’u shërbejnë institucioneve të Kosovës për të përmirësuar në vazhdimësi mangësitë legjislative, por më e rëndësishmja, zbatimin praktik të kornizës ligjore aktuale. Përtej nivelit kombëtar, kjo bëhet ende më e rëndësishme marrë parasysh aspiratat e vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian, e së fundmi edhe iniciativën e shtetit tonë për t’iu bashkëngjitur Këshillit të Evropës. Kjo për dy arsye. E para për faktin që vetë Komisioni i Venecias është trup këshillues i këtij institucioni, dhe e dyta, mundësia që qasja në drejtësi të zgjerohet edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për qytetarët tanë, e cila arrihet vetëm me anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.