Vështrime

Digjitalibanizmi mediatik

Të jesh diplomat, politikan, udhëheqës shteti, ministër a person me përgjegjësi publike për shtetin në kohëra kur bota është e trazuar dhe kur shkruhet edhe një rend i ri botëror, s’do mend që nuk është punë e lehtë dhe se mbi supet e gjithsecilit bie pesha e përgjegjësisë së interesave të vendeve dhe popujve që i përfaqësojnë.

Në zhurmën e krijuar mediatike, një lexues apo dëgjues i rëndomtë u nënshtrohet lajmeve e zhurmave prej më të ndryshmeve. Jo medoemos ai do ta marrë mundin për t’i verifikuar ato lajme dhe për t’i filtruar zhurmat, qofshin ato si agjendë informative apo si ndotje akustike. Një pjesë e tyre do t’i marrin të gjitha informatat që u servohen nga mediumi i preferuar si diçka e mirëqenë. Mirëpo, unë jam i mendimit se një pjesë e madhe e popullatës tashmë edhe e ka arritur rritjen dhe pjekurinë digjitale dhe se në digjitalibanizmin e gjithmbarshëm notojnë mirë dhe të sigurt, duke e ruajtur pikësëpari shëndetin mendor dhe duke ditur që t’i filtrojnë zhurmat akustike, tubimet e digjitalizuara të “Kafes së Sabitit”, pa marrë parasysh nëse ai tubim ka karakter “politik” apo “kulturor”

Të jesh diplomat, politikan, udhëheqës shteti, ministër a person me përgjegjësi publike për shtetin në kohëra kur bota është e trazuar dhe kur shkruhet edhe një rend i ri botëror, s’do mend që nuk është punë e lehtë dhe se mbi supet e gjithsecilit bie pesha e përgjegjësisë së interesave të vendeve dhe popujve që i përfaqësojnë.

Hallkat e zinxhirëve të përgjegjësisë sigurisht se përcillen më tutje në të gjitha segmentet e shoqërisë. Në këtë mes mediet sigurisht se përbëjnë një nga hallkat kryesore me anë të raportimit të drejtë dhe të paanshëm në shkrime dhe në hulumtime të dëshmuara gazetareske. Jo rrallëherë kam përmendur në ditarin tim se jemi vendi i vetëm (së paku për aq sa unë kam njohuri) që disponon me dhjetëra televizione të pranishme në platforma digjitale e disa prej tyre edhe në frekuenca nacionale, të cilat përveç në "analog" dhe në digjital mbulojnë edhe platformat digjitale.